KEK-u synon mbi 400 milionë euro investime kapitale

E publikuar: 29/02/2020 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

KEK-u në tre vjetët e ardhshëm synon të realizojë investime kapitale, vlera e të cilave do të arrijë shumën e rreth 437 milionë eurove.

Këto investime nga drejtues të kësaj korporate, konsiderohen të domosdoshme për të garantuar siguri dhe stabilitet energjetik në Kosovë për 40 vjetët e ardhshëm.

Investimi më i madh kapital parashihet të bëhet në zgjerimin e minierës ekzistuese dhe hapjen e minierës së re e po ashtu, edhe rehabilitimi i termocentralit “Kosovës B”.

Korporata Energjetike e Kosovës këto investime thotë se do t’i fillojë së realizuari që nga 15 prilli i këtij viti, transmeton KTV.

Ata kanë thënë se për sa i përket prodhimit të qymyrit, nga studimi i kryer prej një kompanie gjermane, del se nevojitet edhe hapja e mihjes së re.

Ajo do të mundësojë furnizimin me lëndë të parë për termocentralet ekzistuese dhe termocentralin Kosova e Re.

Tërnava shton se miniera e re parashihet të ketë një kapacitet mesatar prej 10 milionë tonëve në vit.

Realizimi i këtij projekti do të ndikojë në operimin më stabil, në disponueshmërinë e njësive dhe në sigurinë e prodhimit të energjisë elektrike.