KEK-u akuzon KEDS-in se po i mashtron qytetarët

E publikuar: 27/11/2018 13:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që bën prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë ka akuzuar kompaninë shpërndarëse KEDS/KESCO për mashtrim të qytetarëve.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Kompania e Distribucionit dhe Shitjes së energjisë elektrike, KEDS/KESCO ka përgjegjësi ligjore furnizimin 100 % të qytetarëve me energji elektrike.

“KEDS / KESCO në vend se të përmbush këtë obligimet kontraktual, që saktësisht thuhet në Nenin 33, Pika 4 si dhe Nenit 34 Pika 2.8.2 të Ligjit për Energji Elektrike, vazhdon tentimet për të manipuluar opinionin publik përmes komunikatave për media dhe dezinformatave”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Ata shtuan se në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, siç parashihet me ligj (KEDS)e ka obligim furnizimin e qytetarëve pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese vendore, pra të KEK-ut. Prandaj sjellja e KEDS/KESCO, duke tentuar të manipuloj opinionin publik, përveç se po shkel rregullat e tregut, po bënë edhe veprime aspak korrekte dhe jo profesionale në raport me përgjegjësitë dhe obligimet që ka edhe ndaj KEK, si kompani kontraktuale. Ndryshe, sipas njoftimit, KEK-u në rrethanat kur dështon ta përmbushim obligimin e prodhimit të planifikuar brenda 24/h ka për obligim që me çmime jashtëzakonisht të larta të paguaj për sasinë devijuar. Sasia tjetër e energjisë e nevojshme për konsum është obligim ligjor dhe përgjegjësi e KEDS / KESCO.

“Ndryshe, siç e kemi cekur edhe me herët pikërisht për të pasur rrymë 24 orë është privatizuar distribucioni. Përfundimisht qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mashtrohen me deklarata për media që lëshohen nga KEDS / KESCO duke raportuar se sa janë kapacitetet prodhuese të termocentraleve të KEK-ut”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Në anën tjetër, gjatë ditës KEDS doli me një deklaratë lidhur me situatën me furnizim me energji elektrike.