KEDS-i lë në terr xhaminë kryesore në Kaçanik (Foto)

E publikuar: 08/03/2016 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka gjashtë ditë që xhamia “Koxha Sinan Pasha”, në Kaçanik, ka mbetur pa energji elektrike, kjo pas borxhit të madh që i ka kjo xhami KEDS-it. Punëtorët e KEDS-it, të premten e kaluar, kanë hyrë në mënyrë të dhunshme (pa i hequr këpucat) në xhami e më pas edhe kanë larguar orën elektrike nga objekti, thonë disa xhematlinjë kaçanikas.

Sipas tyre, arsyeja se pse ata nuk e kanë paguar asnjëherë energjinë elektrike është vendosja e një trafoje, e cila gjendet më larg xhamisë dhe është pronë e tyre.

“Punëtorët e KEDS-it para namazit të xhumasë janë futur me këpucë në xhami dhe kanë këputur rrymën, e kjo nuk përkon aspak me normalitet dhe bashkëpunim. Në të kaluarën xhamia nuk ka paguar rrymë për shkak të trafos, e cila gjendet më larg xhamisë në vakëf të Bashkësisë Islame”, ka thënë njëri prej tyre, i cili nuk deshi t’i përmendet emri në portalin tonë.

Aktualisht, xhamia “Koxha Sinan Pasha” është duke u furnizuar me energji elektrike me anë të një agregati elektrik.

Në anën tjetër Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik nuk ka lëshuar kurrfarë komunikate lidhur me këtë rast, edhe pse rëndom publikon njoftime edhe për gjëra më të parëndësishme.

xhamia3

xhamia1

xhamia 2