KE po e sheh Gjykatën Speciale si hap të rëndësishëm drejt pajtimit

E publikuar: 06/08/2015 18:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, spanjolli Agustin Conde, ka përshëndetur vendimin e Kuvendit të Kosovës me të cilin hapet rruga për formimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, si “hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur”, thuhet në komunikatën e sotme të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

“Kjo paraqet “përgjigje pozitive ndaj rezolutës së Asamblesë pas hetimit të Dick Martyt në vitin 2011 për akuzat për sjellje johumane dhe tregti të palejuar me organe njerëzore në Kosovë”, thuhet në komunikatë, përcjell ksp.

“Siç tha kryetarja e AP të KE-së Anne Brasseur, ky vendim definitivisht paraqet hap drejt pajtimit. Ai, po ashtu, tregon gatishmërinë e qeverisë për të luftuar kundër mosdënueshmërisë dhe për respektim të sundimit të së drejtës”, ka thënë Conde, i cili duhet të realizojë takime në Beograd (më 24-25 gusht) dhe në Prishtinë (datat duhet të konfirmohen), në funksion të përgatitjes së raportit të tij, thuhet më tej në njoftim.