KDI: Prishtina ndër kryeqytetet më transparente në Evropë

E publikuar: 20/08/2019 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar hulumtimin për transparencën e 26 kryeqyteteve evropiane, mes të cilave është vlerësuar dhe Prishtina, raporton EkonomiaOnline.

Diana Metushi-Krasniqi nga ky institut tha se në një matje që është bërë për të vlerësuar transparencën e kryeqyteteve evropiane, Prishtina ka qenë njëri ndër kryeqytetet që ka ofruar të dhëna të shumta, kështu duke u treguar transparente.

“Matja është realizuar në dhjetor të vitit 2018 ku maten masa e vlerësimeve të kryeqyteteve evropiane. Prishtina është njëra ndër kryeqytetet më transparente që ka përmbushur 75% të indikatorëve. Prishtina dhe Oslo tregojnë praktika të mira të publikimit të buxhetit dhe raporti i shpenzimeve. Stokholmi tregon mënyrën me të mirë të shpenzimeve buxhetore ku në mesin e publikimeve të shpenzimeve pasqyrohen fotografitë e informatat tjera”, u shpreh Metushi-Krasniqi.

Ajo gjithashtu tha se iu gëzua faktit që Prishtina nuk ka qenë pjesë e kryeqyteteve që e kanë refuzuar bashkëpunimin si disa prej tyre.

“15 nga kryeqytetet e matura të Evropës nuk kanë ofruar përgjigje dhe nuk kanë qenë transparente. Ne jemi të gëzuar që Prishtina nuk është në ketë mes. Kryeqyteti është shembull i transparencës. KDI fton qeverisjen të zbatojë praktikat transparente të suksesshme të kryeqyteteve tjera evropiane qe të avancohen edhe më tutje në mënyrë qe informatat të plasohen sa më të kuptueshme për qytetarët”.

“Transparenca është e rëndësishme dhe duhet të shërbejë si bazë e mirëfilltë për besimin e qytetarëve”, përfundoi ajo.