Kathy Sullivan bëhet e para që ecën në hapësirë dhe arrin pikën më të thellë në oqean

E publikuar: 11/06/2020 22:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-astronautja e NASA-s, Kathy Sullivan është bërë femra e parë që ka arritur në “Challenger Deep”, pikën më të thellë në oqean. Sullivan po ashtu ishte amerikania e parë që kompletoi ecjen në hapësirë, më shumë se 36-vjet më parë.

Tani ajo është e para që ka bërë këto dy gjëra të jashtëzakonshme, ka shkruar “cbsnews.com”.

Sullivan ishte pjesë e një ekspedite të vështirë pesë orëshe më herët këtë javë dhe shkoi 10 mijë e 925 metra nën sipërfaqen e Oqeanit Paqësor. Ajo ishte e shoqëruar nga piloti Victor Vescovo i “Caladen Oceanic”, kompanisë private të dedikuar për përparimin e teknologjisë detare.

Vetëm tetë persona kanë arritur deri më tani në pikën më të thellë të njohur në oqean, duke përfshirë regjisorin James Cameron. Sipas CBS News, 574 persona nga mbi 40 shtete kanë shkuar në hapësirë.

“Jam ndier si një jashtëtokësore që ka arritur në një planet të panjohur. Ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Sullivan.

Zhytja në pikën më të thellë në oqean është bërë përmes një mjeti të krijuar për të përballuar thellësi të jashtëzakonshme. Në thellësinë e arritur, uji është shumë i ftohtë, nuk ka dritë, kurse presioni është gati i papërballueshëm. Por prapë disi zhvillohet jeta. Po bëhen hulumtime për të mësuar më shumë për këtë./Koha.net/