Katër të arrestuar në Shqipëri për disa tenderë në ministrinë e Drejtësisë

E publikuar: 06/02/2019 09:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Shqipëri ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, J. Hoxha, Drejtori i Shërbimeve mbështetëse A. Lamçe dhe dy specialistë të IT-së, L. Ali dhe A. Alikaj janë vënë në pranga pasi dyshohen të jenë përfshirë në shkelje dhe abuzime me disa tenderë të zhvilluara nga kjo ministri në periudhën 2016-2017.

Nën hetim dhe 8 zyrtarë të tjerë të ministrisë, ndërkohë që po verifikohen dhe veprimet e kryera dhe përgjegjësia konkrete që mund të kenë dhe dy ish ministrat e Lëvizjes socialiste për integrim Ylli Manjani dhe Petrit Vasili.

Hetimet janë shtrirë në të paktën 5 tenderë: Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS, në 7 Gjykatat Administrative; Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale; Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar; Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës si dhe tenderi për Përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit, raporton Zëri i Amerikës.

Shkeljet rezulton të jenë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e m pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave. Sipas prokurorisë, “hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit”.

Disa nga sistemet të cilat janë blerë në bazë të këtyre tenderëve, në një pjesë të madhe, sipas prokurorisë, nuk janë funksionale.