Katër italianë grabisin e rrahin kamionistin shqiptar në Pulja

E publikuar: 30/07/2015 02:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një shqiptar ka rënë pre e një grabitje të dhushme me armë në Itali. Ngjarja ka ndodhur në Cerinjola në veri të qytetit të Barit. Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë publik, ishte duke drejtuar një kamion që transportonte disa materiale për llogari të Caritas.

Katër persona, të armatosur me kallashnikov dhe të maskuar i kanë zënë rrugën. Pasi e kanë zbritur nga kamioni e kanë kërcënuar se do ta vrisnin dhe e kane rrahur brutalisht. I kanë shkaktuar plagë në trup. Po kështu i kanë vënë armën në pjesën e pasme të veshit dhe i kanë shkëputur dhe një copë mish për shkak të forcës që ushtronin.

Ai është dërguar në spital, ku sipas mjekëve duhet të qëndrojë 10 ditë. Më pas grabitesit kanë marrë kamionin dhe janë larguar.

Duke parë që sendet ishin të pavlera për ta autorët e kanë braktisur mjetin në fshatin San Ferdinando në zonën e Pulias, për të ikur më pas me një makinë tip Audi. Kamionisti shqiptar ka lajmëruar ndërkohë policinë.

Përmes një aksioni ku u përfshinë dhe 22 karabinerië u kapën, Amerigo Amelia, 50 vjeç i survejuar nga policia, Giussepe Lapenna edhe ky nën mbikqyrjen e policisë, Roberto Romanelli 28 vjeç dhe Ricardo Lotito 29 vjeç, të dënuar më parë nga Gjykata. Policia sekuestroi si provë automatik kallashnikov, një bllokues valësh si dhe dy radio.

Makina Audi më të cilën lëviznin autorët ishte e blinduar dhe modifikuar për të përballuar edhe përplasjet me armë. Targat rezultonin të vjedhura një muaj më parë.

Tv Klan