Kastrati: I tronditur dhe i dëshpëruar për vrasjen në Kamenicë

E publikuar: 25/07/2020 22:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se ndjehet i tronditur i dëshpëruar e me mllef në lidhje me një ndodhi të pazakontë që ngjau sot në Kamenicë, ku një gruaje i është marrë jeta në mënyrën më mizore nga bashkëshorti.

“Dhuna në familje është rezultat i rrethanave të shumta, mirëpo problemi ende qëndron në mungesën e seriozitetit në trajtimin e kësaj dukurie. Kemi dështuar si shoqëri të bëjmë mjaftueshëm për ta dënuar këtë dukuri e luftuar faktorët që çojnë tek ky problem. Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë”, ka shkruar Kastrati.

Ky është postimi i tij i plotë:

Nuk ka tronditje më të madhe sesa të dëgjosh për vrasje në martesë. Aty ku njeriu do të duhej ta gjente sigurinë më të madhe, mirëkuptimin më të lartë e dashurinë…kur aty ndodhë vrasja…është ferri vet.

Ndjehem thellësisht i tronditur, i dëshpëruar e me mllef në lidhje me një ndodhi të pazakontë që ngjau sot në Kamenicë, ku një gruaje i është marrë jeta në mënyrën më mizore nga bashkëshorti.

Dhuna në familje është rezultat i rrethanave të shumta, mirëpo problemi ende qëndron në mungesën e seriozitetit në trajtimin e kësaj dukurie. Kemi dështuar si shoqëri të bëjmë mjaftueshëm për ta dënuar këtë dukuri e luftuar faktorët që çojnë tek ky problem. Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë.

Ngjarja e sotme është një akt i papranueshëm të cilin e denoj fuqishëm! Si Qëndron dhe si institucion mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të dinjitetit, të drejtës së jetës dhe gëzimit të saj nga të gjithë, e veçanërisht grupeve të cenuara.

Shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës!