Kaspersky: Mund të na besoni pavarësisht ndalimit të produkteve tona në SHBA

E publikuar: 15/09/2017 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Eugene Kaspersky ka mohuar çdo akuzë të autoriteteve Amerikane se firma e tij e sigurisë kibernetike ka lidhje të afërta me qeverinë Ruse dhe insiston se produktet e saj nuk përbëjnë asnjë rrezik për konsumatorët e saj dhe ato Amerikanë në veçanti.

Kaspersky tha për BBC se vendimi i administratës Trump për ndalimin e produkteve të saj në agjencitë shtetërore shkaktoi një situatë të pakëndshme për kompaninë.

Autoritetet Amerikane janë të shqetësuara se Kaspersky është vulnerabil ndaj influencës së Kremlinit.

Por themeluesi i kompanisë thotë se pavarësisht se jeton në Moskë dhe se firma e tij bashkëpunon me institucionet shtetërore të sigurisë kibernetike, lidhje më të thella sesa kaq nuk ekzistojnë.

“Ne bashkëpunim me një numër agjencish të sigurisë kibernetike në mbarë botën, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara,” tha ai.

Ndalimi i përdorimit të Kaspersky nga administrata Trump dha efektet e para. Distributori Best Buy ndaloi shitjen e produkteve të Kaspersky.

Kremlini ka kritikuar vendimin e SHBA-ve duke u përshkruar aktet si konkurrencë të pandershme.

Eugene Kaspersky tha se dëshiron që marrëdhëniet mes dy vendeve të përmirësohen dhe bëri thirrje për një bashkëpunim global në çështjet e sigurisë kibernetike.

Problemi i kompanisë fillon dhe mbaron tek besimi se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Kjo do të thotë se një biznes Rus në SHBA ka për ta pasur tejet të vështirë të bindë konsumatorët Amerikanë. /PCWorld Albanin