Karriera e Ilir Metës, nga dyert e FRESH në zyrën e kreut të shtetit

E publikuar: 28/04/2017 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ilir Meta pritet të marrë sot votat për të drejtuar shtetin shqiptar nga posti i Presidentit të Republikës. Ilir Meta 48 vjeç është një nga politikanët me karrierën më të pasur në Shqipërinë pluraliste, i cili i hyri politikës në moshën 22-vjeçare me Forumin Rinor Socialist.

Meta bëhet kështu Presidenti më i ri në moshë i pas vitit 1992. Kreu i LSI-së është anëtar i Kuvendit të Shqipërisë që nga 22 marsi 1992, kur nisi nga puna Parlamenti i parë pluralist.

Ilir Meta ka lindur në Skrapar, më 24 mars 1969, dhe ka studiuar për Ekonomi Politike pranë Fakultetit të Universitetit të Tiranës, ku ka ndjekur studimet universitare dhe pasuniversitare. Ai është i martuar me Monika Kryemadhin, deputete e LSIsë, dhe është babai i dy vajzave e një djali.

ANGAZHIMI POLITIK

Ilir Meta e filloi përfshirjen e tij politikë në vitin 1990 si pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Studentore, që solli rënien e regjimit komunist dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH) në Partinë Socialiste të Shqipërisë, duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste.

Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese, si nënkryetar (1992-1995) dhe kryetar (1995-2001). Më pas, karriera e tij ka vijuar me forumet e PS, kur nga viti 1993–2003 ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitet 1993–1996, Meta nënkryetar i Partisë Socialiste të Tiranës dhe sekretar ndërkombëtar.

Gjatë viteve 1997–1998, Meta ka mbajtur postin e kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës. Kulmi i aktivitetit politik të tij ishte korriku i vitit 2003, kur, pas debateve me Kryeministrin Nano, ai dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij partiake dhe qeverisëse, ndërsa me një grup mbështetësish të PS themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në zgjedhjet e para parlamentare të LSI-së, ato të vitit 2005, LSI mori 5 mandate deputetësh, duke ndikuar në daljen e PS-së në opozitë. Ndërsa në zgjedhjet e fundit, ato të 2013-s, LSI në koalicion me PS fitoi 16 mandate deputetësh.

POZICIONET SHTETËRORE

Që nga viti 1997, kur e majta erdhi në pushtet, Ilir Meta ka mbajtur postin e sekretarit të Shtetit për Integrimin Europian pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitet 1998–1999, zv.kryeministër dhe ministër i Koordinimit.

Kulmi i tij në ekzekutiv ishte nëntori i vitit 1999, kur në moshën 30- vjeçare u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, në qershor 2001, fiton një mandat të dytë deri në shkurt 2002.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ndërmori një seri reformash të rëndësishme, duke u bërë pjesë e Procesit të Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian. Në një moment, kur vendi mund të kalonte në një kolaps politik, në 2009-n, kur PD nuk kishte votat të qeveriste e vetme, LSI u përfshi në koalicionin qeverisës me postin e zv.kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe më pas ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Në 2013-n, ai firmosi koalicionin me Edi Ramën dhe u zgjodh në krye të Kuvendit të Shqipërisë, detyrë që vijon ta ushtrojë. /Panorama/