Karkalecat ‘pushtojnë’ Afrikën dhe Sudanin Jugor

E publikuar: 19/02/2020 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grumbujt e mëdhenj të karkalecave të dëmshëm po vazhdojnë të përhapen në pjesën lindore të Afrikës. Ata tashmë kanë arritur edhe në Sudanin Jugor, i cili ndodhet në krizë për shkak të urisë dhe trazirave politike.

Kenia, Somalia, Eritrea dhe Xhibuti po përballen me numrin më të madh të karkalecave në dekadat e fundit. Grumbujt e karkalecave kanë arritur edhe në Tanzani dhe Ugandë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Karkalecat e shkretëtirës mund të udhëtojnë deri në 150 kilometra në ditë dhe të hanë ushqim sa masa e tyre trupore. Kjo do të thotë se një grumbull i karkalecave që zë hapësirë prej një kilometri katror mund të hajë ushqim brenda një dite aq sa hanë 35 mijë njerëz.

Përhapja e këtij insekti të dëmshëm po ndikon në rritjen e mungesës së ushqimit në një rajon ku rreth 25 milionë njerëz po vuajnë pas tre vjetëve të thatësirave dhe vërshimeve.

Meshack Malo, përfaqësues i Sudanit Jugor për Organizatën për Bujqësi dhe Ushqim të Kombeve të Bashkuara, tha se këta karkaleca janë të rritur dhe po kërkojnë hapësira për t’u pllenuar, gjë që do t’i krijonte kushtet për përhapje të re.

Gjatë secilit cikël tremujor të pllenimit, karkalecat e shkretëtirës mund t’i lënë nga 20 pasardhës. Ata po paraqesin kërcënim serioz për të mbjellat dhe ushqimin në të dyja anët e Detit të Kuq.