Karitas Kosova dhuron 27 shtretër dhe komodina për QKUK-në

E publikuar: 15/12/2017 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Karitas Kosova ka dhuruar në formë të donacionit, 27 shtretër, 32 komodina, 33 dyshekë për nevoja të klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me rastin e pranimit të këtij donacioni, Dr. Basri Sejdiu, u.d. drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), theksoi se kjo është një ndihmesë e madhe për QKUK-në dhe është shumë i mirëseardhur.

“Rëndësia e donacionit është edhe më e madhe duke llogaritur se jemi në fundvit dhe jemi në fundvit buxhetor, ku kemi vështirësi dhe pamundësi për të bërë blerje, andaj këta shtretër do të jenë të mirëseardhur”, deklaroi dr. Sejdiu.

Sipas tij, shtretërit do të dërgohen në klinikat ku ka nevojë më të madhe, sidomos në shërbimet që planifikohet të funksionalizohen 24 orë. Don Viktor Sopi nga Karitas Kosova, theksoi se nga mundësitë poseduese që ka, ky është vetëm minimumi i asaj që duhet të bëhet, sidomos në shëndetësi. “Bashkëpunëtorëve të mi në Karitasin e Kosovës ju them që në radhë të parë të bëjnë atë veprim sado të vogël me dashuri dhe kujdes të madh, si në raport me të dashurit në familje, gjeneza e familjes sonë është shëndetësia”, theksoi Don Viktor Sopi.

Ai apeloi për më shumë vigjilencë në mënyrë që të ngrihet dhe të përmirësohet gjendja në shëndetësi, ne e bëjmë këtë me dashuri. Sipas tij, këto ndihma janë nga Karitasi gjerman.

QKUK-ja menjëherë ka filluar me shpërndarjen e donacionit për klinikat e ndryshme brenda saj.