Kaq do të jeta pensioni për viktimat e dhunës gjatë luftës

E publikuar: 06/05/2019 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 330 gra të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga gati 1000 sa kishin aplikuar, u është njohur statusi i personit të dhunuar gjatë luftës. Të gjitha ato gra, të cilave u është njohur ky status, do të marrin një pension në vlerë prej 230 eurove.

Vetëm nga organizata joqeveritare “Medica Kosova” në Komisionin për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës gjatë Luftës deri më tani janë dorëzuar 90 aplikacione, prej të cilave vetëm 31 janë miratuar.

Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” Veprore Shehu, udhëheqëse e kësaj organizate.

Sipas saj, edhe pse viktimat e dhunës seksuale marrin si pension 230 euro, as kjo shumë e asnjë tjetër nuk do të mundë t’i mbulojë dhimbjet e tyre.

“Mbi 90 raste janë dorëzuar deri më tani ku 31 janë miratuar nga ana e Komisionit, ndërsa tjerat janë akoma në proces. Viktimave në momentin kur u është njohur statusi po në të njëjtin muaj edhe kanë shkuar i kanë marrë pensionet. Ato pensione i kanë për tërë jetën. Ne kishim dashur që 400 euro të marrin gratë në pension njëjtë si familjarët e dëshmorëve, mirëpo në krahasim me pagesat e veteranëve e të viktimave civile të luftës konsideroj se kjo është një vlerë solide. Nuk ka vlerë që mund t’i mbulojë dhimbjet e këtyre grave, megjithatë kjo njohje i bën viktimat të kuptojnë se shteti është me to dhe se meritojnë një kompensim si të gjitha kategoritë tjera të luftës”, ka thënë ajo.

Përveç grave të cilat tashmë kanë aplikuar për njohjen e statusit të të dhunuarave, ka edhe gra të cilat kanë hezituar të aplikojnë për një status të tillë e kjo për shkak të stigmatizimit nga ana e shoqërisë e nga rrethanat familjare.