Kapiteni i Kosovës U-19 në pritje të debutimit në Superligën turke

E publikuar: 19/01/2021 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Veton Tusha në fillim të muajit bëri hapin e madh në karrierë. Nga Vardari i Shkupit kompletoi transferimin te Denizlispori, skuadër që garon në Superligën e Turqisë në futboll.

Ai shpreson që shpejt ta ketë rastin të luajë ndeshjen debutuese me fanellën e skuadrës turke. Tusha thotë se ishte në plan që një gjë e tillë të ndodhte qysh të dielën, ku skuadra e Denizlisporit pësoi disfatë në shtëpi nga Hatayspori me rezultatin 2:0. Ai tregon se debutimi i është shtyrë për shkak se Denizlisporit i është bllokuar mundësia e transferimeve për shkak të borxheve.

“Klubi ka planifikuar që sot (e hënë v.j.) t’i paguajë borxhet dhe më pas i hiqet bllokada e transferimeve. Kam pasur të debutoj të dielën, por fatkeqësisht nuk më është lejuar nga Federata. Unë kam qenë në kontakt me trajnerët dhe besoj se si të përfundojë kjo bllokadë do ta kem rastin të paraqitem për ekipin e parë”, ka thënë kapiteni i U-19 të Kosovës, Veton Tusha, të hënën për KOHËN.

Sulmuesi 18-vjeçar iu bashkua skuadrës turke nga Vardari i Shkupit. Thotë se ka punuar për këtë të arritur.

“Ka qenë e pritshme, sepse kam punuar goxha shumë. Me vullnet dhe motiv ia kam dalë. Kam pasur përkrahjen e madhe të prindërve, sidomos të babait. Falë tyre ia kam arritur. Megjithatë, ky është vetëm fillimi për mua. Unë në Denizlispor kam ardhur direkt në ekipin e parë. Kam pauzuar për shkak të COVID-it dhe i kam tërhequr edhe dokumentet nga Vardari. Ftesën e kam pasur direkt për ekip të parë nga Denizlispori”, ka thënë Tusha, që me Denizlisporin ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2024.

Ai thotë se përveç Denizlisporit, interesim ka pasur edhe nga klube të kampionateve të tjera, por që nuk ka dashur t’ua zbulojë emrat.

“Kam pasur edhe shumë ftesa të tjera, por pasi që COVID-i ka qenë aktiv, si dhe izolimi në Kosovë, ka bërë që të zgjedh Turqinë, pasi që nuk kam pasur vizë. Të gjitha ambasadat kanë qenë të mbyllura, edhe pasi kanë intervenuar klubet”.

Tusha është i lindur në Kaçanik, ku edhe e ka nisur karrierën si futbollist. Fillimisht mësoi lojën te shkolla e futbollit në qytetin e lindjes, A.F New Star, ndërsa më vonë te Shkolla e Futbollit Arsenali në Prishtinë.

“Me Arsenalin kam filluar të marr pjesë në gara, ndërsa hapat e parë i kam marrë te New Star. Nga Arsenali jam transferuar në Vardar. Është ngritje për mua kalimi te Denizlispori, por synimin e kam që në një të ardhme të shpejtë të depërtoj në Evropë, përkatësisht në Premier League, si dhe te Përfaqësuesja A e Kosovës”, është shprehur Tusha.

Tusha ka qenë i rregullt te Kosova U-19, ndërsa shpejt synon të marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja A. Ai beson se mund ta arrijë këtë qëllim.

“Pasi që jam kapiten te U-19 e Kosovës, shpresoj që do ta kem rastin të luaj edhe për Përfaqësuesen A. Çdo lojtar ka dëshirë të luajë në nivele të larta dhe unë nuk do të ndalem. Do të punoj fort për t’u ngritur”, ka thënë Tusha