Kapet personi i tretë i përfshirë në trafikimin e 48 kg kanabis

E publikuar: 30/08/2017 18:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Korçës ka vënë në pranga personin e tretë të përfshirë në një tentativë trafiku ndërkombëtar narkotikësh, ngjarje kjo e ndodhur me 24 prill të këtij viti.
I arrestuari është shtetasi Ardian Hoxha, 45 vjeç, banues në fshatin Miras-Devoll.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë”.
Ndalimi i 45 vjeçarit lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 24.04.2017, në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, në afërsi të Piramidës nr 54, ku Hoxha në bashkëpunim me tre persona të tjerë (dy prej të cilëve u arrestuan në flagrancë dhe një tjetër u shpall në kërkim), dyshohet se kishin synim të transportonin nëpërmjet kufirit të gjelbër drejt Greqisë, me qëllim trafikimi, një sasi prej rreth 48 kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sativa.
Lënda narkotike ishte vendosur në 2 çanta sportive dhe 1 thes plasmasi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.