Kandiq: Varreza masive në Rudnicë është përmendorja për Dikoviqin

E publikuar: 29/05/2019 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Varreza masive me trupat e civilëve shqiptarë të vrarë nga ushtria serbe është “përmendorja” për të bëmat e gjeneralit serb, Lubisha Dikoviqit. Kështu ka thënë aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut dhe të vërtetën rreth luftërave në ish Jugosllavi, Natasha Kandiq.

Në një deklarim për Koha.net, pas intervistës së Dikoviqit ku ai pretendon se në vend se në Kosovë t’i ngritët aktakuzë për krime lufte “duhet t’ia ngritin një përmendore atje”, Kandiq ka thënë se tashmë është një “përmendore” për krimet e Dikoviqit, dhe ajo gjendet në Rudnicë të Serbisë.

Dikoviqi pret “përmendore dhe jo aktakuzë” për veprat e kryera në Kosovë gjatë luftës

“Përmendorja që i ka përjetësuar të bëmat e komandantit të kohës së luftës të brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave ndaj civilëve në Kosovë është varreza masive në Rudnicë, në të cilën për 15 vite janë fshehur mbetjet mortore të fshatarëve, të vrarë në Çikatovë të Vjetër dhe Rrezallë, në prill të vitit 1999”, ka thënë Kandiq për Kohën.

Natasha Kandiq ka thënë edhe se ende beson në drejtësi dhe se kjo do të pranohet edhe në vendin ku është hapur varreza masive.

“Besoj se një ditë ai vend do të shënohet me fjalë të turpit për krimin e kryer ndaj civilëve dhe dhimbjen që u është shkaktuar familjeve të viktimave”, tha Kandiq, e cila është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, organizatë kjo e cila e ka dokumentuar përgjegjësinë e Dikoviqit për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë, në kohën e luftës në Kosovë, në pranverë të vitit 1999.

Dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare rreth krimeve të Dikoviqit mund ta lexoni KËTU.