Kandiq: Arrestimi i Thaçit-veprim i pamenduar politikisht e juridikisht

E publikuar: 30/09/2016 09:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Iniciativës KOMRA, Natasha Kandiq, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës Jug, Nehat Thaçi, “është futur në një gjendje që nuk i takon as të kaluarës dhe as të ardhmes”.

Ajo e përshkroi veprimin e policisë serbe si “të pamenduar politikisht dhe juridikisht”.

Kandiq tha se me veprimet, siç është ai i arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, ”Serbia edhe drejtpërdrejt mund të rrezikojë krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që dyshohet t’i kenë kryer pjesëtarët e ish-UÇK-së”.

 “Serbia është thelluar në një gjendje që nuk është as e kaluar dhe as ardhme. Vepra penale e terrorizmit ka qenë një vepër e përdorur gjerësisht me të cilën janë akuzuar shqiptarët më 1996 dhe 1997 nga drejtësia serbe”.

“Kur shikohet se cila ka qenë baza dhe cilat janë dëshmitë për akuza të tilla, është e qartë se bëhej fjalë për akuza politike. Ajo që përshkruhej në ato akuza, thjeshtë nuk do të kalonte asnjë instancë të cilësdo qoftë ekspertizë juridike”, tha Kandiq.