Kandidati për gjyqtar të Kushtetueses, i dënuar për korrupsion! (Dokument)

E publikuar: 17/04/2018 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Shoqatës së Avokatëve Serbë në Kosovë, Radomir Laban është njëri prej kandidatëve që i është futur garës për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi i Republikës pritet që gjatë seancës së sotme të përzgjedhë kandidatët për gjyqtarë të Kushtetueses.

Mirëpo, Laban, emër i panjohur për opinion kosovar, po del se ka një të kaluar kriminale. Ai së bashku me një grup serbësh nga Kosova si dhe Serbia në vitin 2012 ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Beogradit me afro 60 vite burgim, shkruan Indeksonline

“Carinska Mafija”  ishte quajtur grupi kriminal në krye me Velibor Lukoviqin. Ky grup, ku ishte Laban, ishin arrestuar në vitin 2006.

Të akuzuarit, prej tyre 7 doganierë dhe 10 biznesmenë akuzoheshin se kishin kontrabanduar tekstil dhe teknikë që rrejshëm ishin paraqitur si mallra në transit dhe kështu kanë përfituar miliona euro.

Në shtator 2012, Laban dënohej me gjashtë vjet si një anëtar i të ashtuquajturës mafi doganore për korrupsion. Përpos këtij dënimi, Gjykata Themelore e kishte futur të njëjtin në procesin e mbledhjes së dokumentacionit të  nevojshëm për lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar, para Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës Publike. Pra, organizata e sigurisë, Interpol, të merrej me rastin në fjalë.

Ndryshe, Administrata e Kuvendit të Kosovës ka publikuar emrat e 31 kandidatëve të cilët do t’ia mësyjnë pozitave për pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës; Emrush Kastrati, Besfort Rrecaj, Hashim Çollaku, Shqipdon Fazliu, Remzije Istrefi-Peci, Jehona Shyti, Musa Dragusha, Erdogan Haxhibeqiri, Idain Smailji, Shqipe Ibraj – Mala, Radomir Laban, Jasmina Djekić, Ramadan Gashi, Makfirete Krasniqi, Vjollca Kroçi-Gërxhaliu, Nebojša Boričić, Shkëmb Manaj, Vigan Qorrolli, Ramë Hyseni, Rafet Haxhaj, Sadik Haxhiu, Çlirim Hajdini, Bajram Ljatifi, Eset Rama, Zef Prenrecaj, Anton Nokaj, Hajzer Salihu, Nexhmi Rexhepi, Shkelzen Sylaj, Sylejman Shumolli dhe Safet Hoxha.

Proceduara e përzgjedhjes së gjyqtarëve do të vazhdojë konform Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. /Indeksonline/Alban Muhaxheri/