Kampioni pret Feronikelin në ndeshjen e fundit të javës së 16-të

E publikuar: 25/11/2018 09:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndeshja e fundit e javës së 16-të në Ipko Superligën e Kosovës do të zhvillohet në qytetin e Gjilanit.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita do të jetë nikoqir i Feronikelit nga Drenasi.

Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Drita do të kërkojë të rikthehet tek rezultatet pozitive ndaj Niklit.

Në anën tjetër skuadra e udhëhequr nga Zekirija Ramadani do të kërkojë pikët e plota për ta shfrytëzuar gabimin e Prishtinës dhe për ta marrë kreun.

Drita që udhëhiqet nga Shpëtim Duro ka mbetur shumë mbrapa ekipeve tjera rivale për titull, pasi aktualisht ka 15 pikë më pak se Prishtina.

Fitorja për vendasit vlen shumë pasi do t’i ngriste në pozitën e katërt në tabelë, me një pikë më shumë se rivali lokal Gjilani.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar me fitore të thellë të ‘Industrialistëve’ me rezultat 4-0.

Gjyqtari kryesor i kësaj sfide do të jetë Genc Nuza me ndihmësit, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj. /Telegrafi/