Kamioni hyn mes turmës së komunitetit LGBTQ, vdes një person

E publikuar: 20/06/2021 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një person mbeti i vdekur dhe një tjetër i plagosur rëndë në Florida, pasi një person hyri me kamion në mes të një turme që po festonte për muajin e krenarisë.

Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Wilton Maneors, 10 milje në veri të Fort Lauderdale, vetëm pak pasi kishte nisur parada e krenarisë dhe festivali i rrugës.

Në bazë të raportimeve, një burrë, i cili ndodhej brenda në kamion, ishte në të njëjtën vijë me të tjerët gati për nisjen e paradës kur shtypi gazin dhe u fut mes njerëzve. Ngjarja nuk është zbardhur ende, ndërsa policia është shprehur se nuk dihet nëse burri ka vepruar qëllimisht apo jo.

Megjithatë, më vonë në mbrëmje dolën raportime se ky mund të ketë qenë një aksident tragjik i paqëllimshëm. Kamioni i shoferit ishte i zbukuruar me flamurin me ngjyra të komunitetit LGBTQ dhe burri kishte veshur po ashtu një bluzë në mbështetje të meshkujve homoseksualë.

Ndërkohë është mësuar se vetë shoferi ka thënë para policisë ‘se këmba e tij u bllokua midis pedalit të gazit dhe frenimit duke bërë që ai të humbte kontrollin e automjetit’.

Ndërsa kryebashkiaku Dean Trantalis e ka cilësuar këtë aksident të rëndë si një sulm terrorist kundër komunitetit LGBTQ.

“Ky ishte një sulm terrorist kundër komunitetit LGBTQ. Ai, shoferi i kamionit erdhi këtu për të shkatërruar njerëz. Qartësisht kjo ngjarje nuk ishte e rastësishme”, është shprehur kryebashkiaku.