Kamerat dëshmojnë se Agonis Tetaj u vra nga djali i punëdhënësit të tij

E publikuar: 24/09/2018 20:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

29-vjeçari nga Deçani, Agonis Tetaj, të dielën paradite është vrarë qëllimisht e jo aksidentalisht nga djali i punëdhënësit të tij, kanë treguar kamerat e sigurisë së objektit dhe dëshmitarët, raporton Insajderi.
Kamerat kanë zbuluar se ka pasur një zënkë mes tyre. I dyshuari për vrasje shihet në kamera duke bërtitur derisa shkon në tavolinë të punës, nxjerr revolen, e raporton atë dhe shtije mbi viktimën.

Burime nga hetuesia kanë thënë ne kushte anonime se gjithë ngjarja është filmuar dhe është konfirmuar nga dëshmitarët. Kamerat e sigurisë janë dërguar në forenzikë për ekzaminim.

Ndërkohë, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka dalë me versionin se kjo vrasje ishte aksidentale, mirëpo burimet e Insajderit kanë treguar se vrasja nuk ishte e tillë.

Burimet kanë thënë se Prokuroria Themelore e Pejës është nën presion nga grupe të ndryshme që vrasjen ta cilësojë aksidentale e jo të qëllimshme.

I janë dërguar pyetje Prokurorisë Themelore të Pejës për të kërkuar sqarime lidhur me vrasjen, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Policia e Kosovës ndërkohë ka deklaruar se rasti është cilësuar si vrasje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili është djali i punëdhënësit të Agonis Tetajt.

“Viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, pasi që gjendja e tij ka qenë e rëndë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, por i njëjti sipas ekipit mjekësor ka arritur pa shenja jete”, ka thënë dje zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Megjithatë, Policia ende nuk ka dhënë informacion lidhur me motivet e vrasjes.