Kamberi: Shqetësuese gjendja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

E publikuar: 17/10/2017 08:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E hëna e 16 tetorit, për Komunën e Bujanocit ishte një ditë e veçantë e mbushur me plot aktivitete të natyrës politike dhe diplomatike.

Lideri institucional i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, priti në rezidencën e tij, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Keef, për të biseduar për së afërmi lidhur me gjendjen politike në këtë komunë dhe më gjerë në rajon.

Gjatë bisedimit, Kamberi e njoftoi ambasadorin Keef edhe rreth planit shtatë-pikësh të palës shqiptare e cila i është dorëzuar Qeverisë së Serbisë, në qershor të vitit 2013, me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës.

“Theks të veçantë ka pasur sundimi i ligjit si dhe respektimi i të drejtave të pakicave gjatë bisedës ku i është kërkuar një angazhim më i madh nga ana e ndërkombëtarëve për realizimin e synimeve dhe të drejtave të pakicave”, tha Kamberi në konferencën për media.

Kjo vizitë vije pas pranisë së kryetarit Kamberi në takimin e së enjtes së kaluar me grupin joformal “Miqtë e Jugut”, të organizuar nga Ambasada e Britanisë me ambasadorët e shteteve të tjera mike në Beograd.

Po në të njëjtën ditë, Kamberi, në rezidencën e tij ka pritur Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë të akredituar në Beograd, Ilir Boçka me bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë takim me karakter pune, kreu i Komunës së Bujanocit, së bashku me deputetin popullor Fatmir Hasani, e njoftuan ambasadorin shqiptar lidhur me zhvillimet politike në vend dhe rajon dhe kërkesat e shqiptarëve etnikë drejtuar Beogradit zyrtar.

Gjithashtu me peshë të madhe ishte edhe takimi i Kamberit me Avokatin e popullit në Serbi, Zoran Pashaliq, me të cilin diskutoi lidhur për çështjen e përgjithshme të të drejtave të njeriut.

Në konferencën për media, Kamberi tha se e ka njoftuar Avokatin e Popullit Pashaliq lidhur me problemin e pasivizimit të vendbanimeve shqiptare dhe shlyerjen e qytetarëve shqiptarë nga regjistrat e gjendjes civile, pastaj për mos njohjen e diplomave të Kosovës, mungesën e teksteve për shkollat shqipe e tema tjera.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Zoran Pashaliq, tha se “Problemet zgjidhen duke komunikuar mes vete dhe ne jemi marrë veshë të diskutojmë zgjidhjen e disa problemeve, që Avokati i Popullit mund t’i zgjidh, ato që lejojnë ligjet e Serbisë”.

Të kësaj natyre janë zhvilluar takime edhe në Preshevë me përfaqësuesit institucionalë dhe partiakë, të cilat kishin në agjendë adresimin e problematikave dhe qasjen për zgjidhjen e tyre në favor të krijimit të kushteve më të mira për shqiptarët e Luginës së Preshevës.