Kallëzim penal kundër Dikoviqit: Të hetohet masakra në Rezallë

E publikuar: 26/05/2016 20:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familjet e viktimave të masakrës në Rezallë, të mërkurën, kanë ngritur kallëzim penal kundër shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq.

Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë, ka qenë komandant i brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave.

Kallëzimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës, familjarët kanë ngritur edhe kundër Dejan Rangjelloviqit, i cili në atë kohë ka komanduar me batalionin e dytë të brigadës së njëjtë.

Të dy ata konsiderohen përgjegjës për vrasjen dhe masakrimin e 41 civilëve shqiptarë në vitin 1999.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se masakra në Rezallë duhet të hetohet, porse nuk pret shumë nga një proces i tillë gjyqësor.

“Prokuroria duhet të punojë seriozisht në këtë rast, sepse një numër i madh i njerëzve kanë vdekur. Trupat e tyre, deri para disa viteve, kanë qenë të zhdukur. Por, sipas ligjit në fuqi, në Kosovë nuk mund të zhvillohet asnjë proces gjyqësor në mungesë të të dyshuarve apo akuzuarve. Andaj, nuk pres se do të shkohet shumë larg me këtë. Por, kjo nuk do të thotë se prokuroria nuk duhet të intervistojë dëshmitarët dhe të mbledhë prova”, ka thënë Blakaj.

Avokati Arianit Koci, i cili në emër të familjarëve të viktimave të masakrës në Rezallë ka ngritur ankesën penale, ka thënë se pret rezultate, por jo shpejt.

Ai ka thënë se ka gjetur mjaft prova që tregojnë se Dikoviq dhe Rangjelloviq, brigadat e të cilëve kanë qenë të vendosura në rajonin e Drenicës, kanë kryer krime.

“Ky territor ka qenë nën komandën e gjeneralit Dikoviq, i cili ka pasur 4,500 ushtarë. Kam gjetur numër të madh provash për të mbështetur dyshimet se (v.j. krimet) janë kryer nga ushtarët e ushtrisë jugosllave, policia dhe formacionet paraushtarake”, ka thënë Koci.

“Provat çojnë direkt te gjenerali Dikoviq. I mbetet prokurorisë dhe gjyqit të merren me të”, ka shtuar ai.

Blakaj, nga Fodni për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se në varrezën masive në Rudnicë janë gjetur 42 viktima dhe se shumica e tyre janë nga rasti i Rezallës.

Sipas tij, pozita e lartë e të dyshuarve, sidomos e Dikoviqit, ka qenë pengesë për nisjen e hetimeve në Serbi.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi pati thënë se posedon dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë kanë marrë pjesë ushtarët e brigadës së 37-të të ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ka qenë shefi i tanishëm i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq./rel/