Kalkulimi i vështirë i opozitës për rrëzimin e Qeverisë

E publikuar: 03/02/2019 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derisa lëkundjet në koalicionin PAN tashmë kanë dalë në shesh si shkak i taksës ndaj Serbisë, as partitë opozitare nuk po rrinë duarkryq.

Ato janë në kërkim të votave të cilat do t’i mundësonin rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni mosbesimi.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kanë thënë se cak i kanë votat e deputetëve shqiptarë të koalicionit, porse nuk e përjashtojnë as Listën Serbe.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se ata nuk do t’i bëjnë lutje deputetëve serbë që t’u japin votat, por nëse ata shfaqin gatishmëri , nuk do t’i refuzojnë.

Tha se kjo nuk është hakmarrje për ata që e rrëzuan Isa Mustafën nga pushteti me votat e serbëve, por se me votat e listës u krijua edhe kjo qeveri.

Në Vetëvendosje thonë se janë në koordinim me LDK-në për mundësinë e një mocioni, sepse PSD-në nuk e konsiderojnë më opozitë.

Albulena Haxhiu ka thënë se e mira do të ishte që Ramush Haradinaj ta rrëzonte vetveten pas gjithë skandaleve që ka prodhuar qeveria e tij.

Pavarësisht që LDK e VV e kanë humbur besimin te partia e Shpend Ahmetit, aty thonë se ata janë gjithmonë të gatshëm për të dhënë votën për rrëzimin e Qeverisë.

Por, Frashër Krasniqi ka thënë se ata nuk pranojnë që të rrëzohet qeveria me ndihmën e deputetëve serbë.

Mundësinë e prishjes së koalicionit e ka lënë të hapur edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka paralajmëruar zhvillime për ditët e javët në vazhdim.