Kalaja e Prizrenit përmes syzesh virtuale

E publikuar: 04/08/2017 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punët për restaurimin e Kalasë së Prizrenit, po hyjnë në fazën e tyre përfundimtare. Rreth 400 mijë euro të Ministrisë së Kulturës dhe rreth 700 mijë dollarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë, i kanë mundësuar Institutit Arkeologjik që të restaurojë dhe konservojë kalanë, ndërsa organizatës CHWB, ta përshtatë atë duke e bërë të qasshme për vizitorë.

Senat Haliti nga organizata Cultural Heritage without Borders, ka thënë se shumë shpejt ata që do të vizitojnë Kalanë e Prizrenit, do të mund të marrin një palë syze virtuale në të cilat përmes fotografish të vjetra dhe të reja, do të mund të shohin ndryshimin e pamjes së kalasë ndër vite, duke parë se si dukej ajo më 1863, kur është fotografuar kalaja për të parën herë, dhe deri pas restaurimit dhe konservimit të kalasë.

Pamje gjithëpërfshirëse dhe të bukura të Kalasë së Prizrenit, të bëra edhe me dron nga ekipi i KTV-së, mund t’i shihni në emisionin COSMO, ku do të informoheni edhe për ecurinë e punimeve në kala.