Kalaja e Novobërdës vizitohet edhe gjatë vapës së gushtit

E publikuar: 13/08/2018 22:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kalaja mesjetare e Novobërdës, një prej trashëgimive më të lashta kulturore që ka Kosova, është bërë vend i pëlqyeshëm për vizitorë të shumtë gjatë gushtit.
Banorë të zonës përreth thanë për KALLXO.com se fluksi më i madh i vizitorëve është në fundjavë.

Ndërkohë, qyteti i vjetër i Novobërdës po vizitohen edhe nga bashkatdhetarë nga shtetet europiane, të cilët pushimet po i kalojnë në vendlindje.

Sabedin Fejza është nga fshati Kçiq i madh i Mitrovicës. Ai jeton në Gjermani, ndërsa gjatë qëndrimit në Kosovë, ka zgjedhur ta vizitojë Kalanë e Novobërdës, si rekomandim që ka marrë nga një mik i tij.

“Kam ardhur këtu në Kamenicë, e kam një shok për ta vizituar. Nuk kisha njohuri për Kalanë e Novobërdës dhe erdhëm për ta vizituar. Është një kënaqësi, është një vend shumë i mirë që më parë nuk e kam njohur”, tha ai.

Mërgimtari thotë se kanë dëshirë që edhe fëmijëve të tyre t’ua tregojnë bukuritë natyrore që i ka Kosova.
“Kemi dëshirë edhe fëmijëve tonë t’ju tregojmë edhe çka dimë për historinë, pse është ndërtuar kjo kala dhe kështu të mundohemi pak e të ju tregojmë për historinë tonë”, u shpreh vizitori.

Ndërsa, Naim Rama nga Strezovci i Kamenicës, jeton dhe vepron në Gjermani. Ai për KALLXO.com tha se po e vizitojnë kalanë, pasi edhe moti është i përshtatshëm.

“Sot kemi ardhur këtu me shokun te kalaja në Novobërdë ose kalaja e Artanës. Koha na ka marrë e mirë dhe dolëm pak në këtë vend”, tha vizitori.

Në afërsi të kalasë, arkeologë nga Instituti i Arkeologjik i Kosovës pas gërmimit në këtë zonë, kanë zbuluar shtëpi banimi që ekzistojnë që nga koha mesjetare.

Kulla mbrojtëse e monumente të shenjta mesjetare që përbëjnë ‘Kalanë e Novobërdës’ ishin xhiruara nga kamera e teknologjisë së fundit, 360 shkallë, nga KALLXO.com.