Kadriaj: Pa garancinë e SHBA-së s’ka marrëveshje

E publikuar: 24/07/2020 14:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka folur në seancën e Kuvendit të Kosoës kur kryeministri Avdullah Hoti po raporton për këtë proces që pritet të rifillojë së shpejtë.

Kadriaj, ka paraqitur pozicionin e AAK-së gjatë fjalimit të saj, duke thënë se dialogu nuk duhet të degradojë në një proces teknik, por të merret seriozisht dhe pjesë e tij të jetë edhe SHBA. Kadriaj tha se dialogu degradoi përgjatë 10 viteve të kaluara në duart e BE-së.

“I gjithë ky proces degradoi nën duart e Bashkimit Evropian, ku përherë e më shumë Kosova mbeste spektatore në tavolinën ku diskutohej për fatin e saj, ndërkohë që agjenda e Serbisë shtyhej përpara. Kosova shtypej në këtë proces, nënshkruante çka i ofrohej, ndërkaq Serbia implementonte vetëm marrëveshjet që i konvenonin asaj dhe kërkesat e saj bëheshin edhe kërkesa të BE-së. Kosova pa zë! Procesi i gjatë e i pafund e ka dëmtuar rëndë Kosovën, ndonëse bashkëpunuese dhe korrekte. Por Serbinë e ka shpërblyer, ndonëse agresive e me fushata diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjeve të saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Fatkeqësisht, falë këtij procesi, Serbia gjenocidiale sot është më afër BE-së dhe me një imazh të përmirësuar ndërkombëtar”, tha ajo,transmeton Lajmi.net.

Ajo tha se Kosova nuk duhet ta lejojë më këtë trajtim. Ajo mori shembull ish-kryeministrin Haradinaj, i cili e kishte ndërprerë këtë proces që Kosoën nuk e dërgonte askund.

“A duhet të vazhdojmë kështu? A duhet që Kosova të jetë vetëm një shikuese në tavolinën ku dialogu degradon në një pazar për fatin e saj? Përgjigja është JO! Kryeministri Haradinaj e refuzoi këtë tavolinë. I hidhëroi disa njerëz, të vendit e të huaj, por e mbrojti interesin e Kosovës. Mbrojti idealin e luftëtarëve që ranë, mbrojti 17 Shkurtin, vendimin e GJND-së e përpjekjet e aleatëve tanë për ta bërë Kosovën shtet. Kjo logjikë e mbrapshtë nuk duhet të kthehet tani. Jo nga kjo qeveri. Kosova nuk guxon të rrëshasë në një proces që tani e kemi provuar për vite me radhë. Dialogu teknik nuk i jep Kosovës atë që i duhet: përmbylljen e këtij procesi me njohje reciproke”, tha ajo. BE-ja ka kohë, por jo edhe Kosova, tha Kadriaj.

Ajo kërkoi që pjesë e procesit të jetë edhe SHBA, si garanci e vetme që marrëveshja do të arrihet dhe të zbatohet.

“Prandaj, Qeveria e Kosovës, duhet të veprojë me mendjen te interesi shoqëror, shtetëror e kombëtar. Dialogu nuk është një proces që duhet të përdoret për qëllime karriere e interese grupore politike. Ne e kemi aleat BE-në, por aleat e miq i kemi SHBA-në. Kosova duhet të insistojë fuqishëm që në këtë tavolinë të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati më serioz dhe i fuqishëm i Kosovës. SHBA s’ka se si të jetë pjesë e kësaj tavolinë, nëse ne nuk e kërkojmë. Prandaj, t’ia hapim rrugën dhe t’ia japim pretekstin SHBA-së. Pa SHBA-në, nuk ka asnjë garanci që një marrëveshje do të arrihet. Pa SHBA-në nuk ka asnjë garanci që marrëveshja do të implementohet suksesshëm edhe sikur të arrihet”, theksoi Kadriaj.

Deputetja përsëriti qëndrimet e AAK-së që nuk pranohen diskutimet për kufijtë e Kosovës dhe për statusin e saj.

“Qëndrimet tona janë të qarta. Askush nuk ka të drejtë e as mandat me diskutu për ndryshim kufijsh! Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Kosova dhe statusi i saj politik janë çështje të përmbyllura me 17 shkurt 2008, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm, prandaj e themi qartë, sikur e kemi thënë gjithmonë, se ne nuk bëhemi pjesë e proceseve jotransparente.

Po ashtu, ajo tha që BE duhet ta dëshmojë seriozitetin e saj, duke i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave.

“BE-ja urgjentisht duhet Kosovës t’ia jap liberalizimin e vizave që ta dëshmojë që e ka seriozisht. Përndryshe, pse ne duhet të dialogojmë që Serbia ta merr statusin e vendit kandidat për BE”, theksoi Kadriaj.