Kadri Veseli s’e mbylli debatin Molliqaj-Konjufca për SHIK’un

E publikuar: 14/04/2019 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-Shefi i SHIK’ut, Kadri Veseli, nuk ka dashur të tregojë kur është pyetur nëse Glauk Konjufca ishte pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës. Kur është pyetur ka thënë se duhet të kalohet në tema tjera. Edhe zyrtarët tjerë të SHIK’ut kan refuzuar të flasin nëse janë shpifje deklarimet e Dardan Molliqajt se pasluftës në SHIK ishte edhe Glauk Konjufca, që përpunonte të dhëna për Luginën e Preshevës.

Asnjë prej ish-zyrtarët të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë nëse Glauk Konjufca kishte qenë në SHIK pas deklaratave të fundit të Dardan Molliqajt në Parlament.

Edhe Kadri Veseli po vazhdon të mos e thotë asnjë fjalë për këtë temë.

Në shkurt të këtij viti, në Rubukon të KTV’së, Veseli kishte thënë se nuk dëshiron që të flasë për këtë çështje.

“Shkojmë tutje. Nuk është pjesë e diskutimit të kësaj studioje”, ka thënë Veseli.

Pas insistimeve ai ka thënë se: “kushdo që i ka shërbyer vendit duhet të ndjehet krenar, por disa kanë mundur e disa nuk e kanë pasur këtë mundësi për shkak të moshës”, për ta lënë të paqartë përgjigjen rreth këtyre pretendimeve.

Veseli ka thënë se Prishtina dhe Kosova janë të vogla dhe dihet saktësisht se kush ka qenë pjesë e SHIK-ut.

“Tash nuk është momenti për të folur për këtë”, ka thënë Veseli mund të flasë për këtë temë

Ditë më parë, Fadil Demaku, ish-zyrtar i SHIK’ut, kishte thënë për Express s.

“Vete Kadri Veselin, ai mund të tregojë”, ka thënë Demaku, të dielën, për Express.

Ish-deputeti nga radhët e PDK’së ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në hajgaret e zyrtarëve të VV’së e PSD’së.

“Kësi hajgaresh nuk i komentoj”, ka shtuar ai.

Glauk Konjufca, aktualisht deputet i Vetëvendosjes, më herët, ka qenë pjesë e AAK’së.

Dardan Molliqaj tha se Konjufca ishte edhe në PDK. Ndërsa, tha se Shefi i deputetëve ishte për 365 ditë në SHIK.

Madje, në seancën e Kuvendit të Kosovës, Molliqaj tha se Konjufca ishte rekrutuar në SHIK nga Fadil Lepaja, i cili mohoi një gjë të tillë.

Molliqaj nuk ka treguar se çfarë pozite ka pasur Konjufca dhe as sa është paguar për punën që ka bërë në organizatën e Kadri Veselit.

“S’di a e dini ju që Galuk Konjufca ka qenë një vit pjesë e SHIK’ut. Ai ka qenë në këtë shërbim para se të ishte pjesë e VV’së”, kishte thënë Molliqaj, në Kuvendin e Kosovës.

Glauk Konjufca ka kërkuar fakte nga Molliqaj për konstatimet se ishte pjesë e SHIK’ut.

“…i pranoj pretendimet e Dardanit, veç me një kusht: le të ofron fakte për shpifjet e tij”, ka deklaruar Konjufca.

Edhe një udhëheqës tjetër i ish-SHIK’ut, Fatmir Xhelili, aktualisht deputet i PDK’së, kishte refuzuar të përfshihet në debatin Molliqaj-Konjufca.

“Nuk komentoj. Janë akuza të dy partive tjera. Nuk kisha dashur të komentoj”, kishte thënë Xhelili.

Edhe Latif Gashi, ish-drejtor i përgjithshëm i SHIK’ut, ka thënë se nuk dëshiron të merret me deklarimet e Konjufcës e Molliqajt.

“Janë probleme të tyre. Nuk dua të merrem me to”, ka thënë Gashi.

Shërbimi Informativ i Kosovës, SHIK, ishte organizatë e themeluar në kohën e luftës dhe organ i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kishte funksionuar deri më 2008, kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës. Ka pasur akuza se pjesëtarë të kësaj organizate ishin të përfshirë në vepra penale.

Shumica e ish-anëtarëve të kësaj organizate kanë vazhduar aktivitetin politik në PDK, disa në AAK, VV e parti tjera.

Kadri Veseli, vitin e kaluar, kishte paralajmëruar se do t’i ‘nginte’ SHIK të gjithë zyrtarët e partive politike. Kishte thënë se kur të dalin faktet s’bën të kukasin “Ciu, ciu,”.