Kadaj-Bujupi është e gatshme të shkojë në burg nëse nuk korrigjohet demarkacioni me Malin e Zi

E publikuar: 08/06/2020 22:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi i është rikthyer temës së demarkacionit duke shpresuar se Kosova do ta kthejë tokën me korrektim të marrëveshjes.

Kadaj-Bujupi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka bërë një zotim publik në raport me demarkacionin.

“Nëse nuk korrigjohet demarkacioni unë publikisht do të kërkojë që të gjithë ne që e kemi votuar demarkacionin të ndëshkohemi dhe ndiqemi penalisht për falje eventuale të tokës në Çakorr e Zhleb”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Deputetja e AAK-së thotë se personalisht do të merr përgjegjësi morale e politike nëse nuk korrigjohet demarkacioni.

“Unë besoj se do të korrigjohet pasi ka vullnet nga të dyja palët për një gjë të tillë”.

Kadaj-Bujupi thotë se është e gatshme të shkojë në burg nëse konstatohet se është bërë lëshim me rastin e demarkacionit.
“Në momentin që konfirmohet se nuk ka korrigjim dhe Kosova humb territor kjo është vepër penale. Nëse ne kemi bërë vepër penale duke shkelur sovranitetin e shtetit shkojmë në burg…Mendoj se nuk duhet të falim asnjë metër tokë me demarkacionin”, tha ndër të tjera Donika Kadaj-Bujupi.