Kadaj-Bujupi dhe Dërguti dënohen me nga 200 euro për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

E publikuar: 04/06/2020 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e “Aleancës për Ardhmërinë̈ e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi dhe ish-deputetja e Partisë Socialdemokrate, Aida Dërguti, pasi kanë pranuar fajësinë janë dënuar me nga 200 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Këtë aktgjykim e ka shpallur gjykatësi Beqir Kalludra, i cili këtë seancë e ka mbajtur me dyer të mbyllura si masë mbrojtëse ndaj virusit Covid-19.

Këtë dënim të shqiptuar e ka konfirmuar, për “Betimin për Drejtësi”, deputetja Kadaj-Bujupi, e poashtu edhe gjyqtari Beqir Kalludra.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, përcjell Klan Kosova Kadaj-Bujupi ka thënë se ky rast kishte të bënte me hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, gjatë kohës kur partitë opozitare kundërshtoni marrëveshjen e demarkacionit dhe sipas saj këto veprime e kishin karakterin politik e jo penal.

“Ne e kemi pranu posedimin e gazit dhe sprejit, po konsiderohemi të pafajshme për faktin se veprimet tona kanë ndodh brenda seancës parlamentare, brenda seancës, sallës së kuvendit, janë krejtësisht politike dhe janë për qëllime dhe bindje për të cilat ne kemi besu dhe besojmë”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 mars 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Donika Kadaj-Bujupi dhe Aida Dërguti akuzohen për veprën penale

“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të KPRK-së.Kadaj-Bujupi dhe Dërguti akuzohen nga prokuroria se më 1 shtator 2016, në Prishtinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në hyrje tek holli i Kuvendit, gjatë kontrollit nga pjesëtarët e policisë, të akuzuarës Kadaj-Bujupi i është gjetur dhe konfiskuar një sprej me mbishkrimin “Nato”, ndërsa të akuzuarës Dërguti i është gjetur dhe konfiskuar një gaz lotsjellës, të cilat mjete i kishin vendosur në trup, e të cilat i kanë mbajtur në posedim, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.