Kaçaniku dhe Hani i Elezit njoftohen për fillimin e implementimit të Programit Nacional për Rininë

E publikuar: 15/02/2019 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipi i zyrës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, takuan sot drejtorët e shkollave të Komunës së Kacanikut dhe Hanit të Elezit.

Në këtë takim Zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri dhe Këshilltari Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Gëzim Zeqiri shpalosën Programin Nacional për Rininë dhe i njoftuan drejtorët për fillimin e garë që nga java e ardhshme.

Zëvendësministri Guri tha se secili nxënës do ta ketë mundësinë të jetë pjesë e Programit Nacional për Rininë. “Ky Program do të jetë stimulues për të gjithë nxënësit dhe do të aktivizojë ata në garat në dituri, kreativitet kulturor e mendim kritik, si dhe në sport. Kështu, Programi Nacional do të kontribuojë në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë. Ky program e ka përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe ne do ta mbështetim Koordinatorin gjatë gjithë procesit”, tha Guri.

Kurse, Drejtori Komunal i Arsimit në Hanin e Elezit, Menduh Vlashi tha se ky projekt është i mirëseardhur dhe i dobishëm për nxënësit. Programi u vlerësua pozitivisht edhe në Kacanik. Drejtori i arsimit në Kaçanik Zahir Doda tha se një program i tillë iu ka munguar shkollave të Kosovës dhe do të jetë shumë i dobishëm për nxënësit dhe për rininë në përgjithësi.

Takimet me drejtorët e shkollave u përmbyllën duke shprehur kënaqësinë për punën e mirë që po bëhet dhe përkushtimin për të kontribuar bashkërisht në këtë rrugëtim.

Programi Nacional për Rininë përfshinë tri fusha: Garën në Dituri, Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe në Sport. Gara në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik do të fillojë më 19 shkurt të këtij viti.​/Infosot/