Kabul, Shpërthim vetëvrasës në një qendër për regjistrimin e votuesve

E publikuar: 22/04/2018 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një tjetër incident i përgjakshëm është regjistruar në Afganistan lidhur me përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të tetorit. Një sulm vetëvrasës në një zyrë për shpërndarjen e kartave për identifikimin e votuesve në Kabul ka lënë të paktën 31 të vrarë dhe ka plagosur mbi 56 të tjerë.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme tha për Zërin e Amerikës se njerëzit po prisnin në radhë për të marrë karta që të marrin pjesë në zgjedhje, kur autori i sulmit aktivizoi mjetin plasës që kishte në trup.

Presidenti Ashraf Ghani hapi javën e kaluar procesin e regjistrimit të votuesve, duke u dhënë mundësi autoriteteve zgjedhore të përgatisin lista për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 20 tetorit. Këto do të jenë zgjedhjet e para në historinë e Afganistanit të zhvilluara bazuar në lista zyrtare të votuesve.

Pas sulmit sot, ambasadori amerikan në Afganistan, John Bass, nxori një deklaratë ku dënonte fuqishëm aktin dhe u përcillte ngushëllime viktimave dhe familjeve të tyre.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e tyre e lajmeve Amag.