Juventusi mposht Cagliarin, gati për derbin ndaj Milanit

E publikuar: 04/11/2018 07:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Juventusi ka fituar në shtëpi ndaj Cagliarit me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të lojës nga Juventusi, por loja e hapur nga të dyja skuadrat bëri që të shënohen tri gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi ende pa u mbushur një minutë, ku Paulo Dybala shënoi për 1-0 pas një veprimi të mirë individual.

Megjithatë, Cagliari arriti të kthehet në lojë në minutën e 36-të duke barazuar 1-1 me anë të Joao Pedros.

Gëzimi i mysafirëve zgjati vetëm dy minuta, pasi pas harkimit të Douglas Costas ishte Filip Bradaric që shënoi autogol duke ia dhënë Juventusi epërsinë 2-1.

Joao Pedro shënoi golin e mysafirëve (Foto: Pier Marco Tacca/Getty Images/Guliver)

Para përfundimit të kësaj pjese edhe Cristiano Ronaldo pati një rast të mirë, por goditja e tij u ndal në shtyllë dhe skuadrat shkuan në pushim me atë rezultat.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, por edhe përkundër disa rasteve të Cagliarit ishte Juventusi që shënoi në minutën e 87-të me anë të Juan Cuadrados, i cili vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 3-1.

Pas kësaj fitore, Zonja e Vjetër vazhdon kryesimin në vendin e parë me 31 pikë, ndërsa Cagliari në vendin e 12-të me 13 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Bianconerët udhëtojnë te Milani, ndërsa ekipi nga Sardenja udhëton te Spali. /Telegrafi/