Juventusi me pagë të madhe fiton garën për Ramsey?

E publikuar: 18/11/2018 18:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetat angleze pohojnë se Juventusi i ka propozuar pagë prej 11,7 milionë euro në vit nëse Aaron Ramsey i bashkohet atyre si lojtar i lirë nga Arsenali.

Mesfushori i Uellsit i mbush 28 vjet muajin e ardhshëm dhe kontrata e tij me Arsenalin skadon në fund të sezonit.

Deri më tani, ai ka refuzuar të pajtohet me kushtet e reja me Topçinjtë dhe pritet të largohet falas në verën e ardhshme.

Shumë skuadra evropiane janë vënë pas shërbimeve të tij, por thuhet se Zonja e Vjetër e ka fituar tashmë garën për të.

Sipas mediumit anglez The Sun ,Juventusi i ofron Ramseyt një pagë të madhe me vlerë 10.4 milionë funte apo rreth 11.7 milionë euro në vit.

Përveç kësaj, kampioni i shtatëfishtë radhazi i Serie A i ofron këtë pagë për plot katër sezone.

Roma dhe Milani gjithashtu kanë treguar interes të fortë, por sigurisht nuk do të ishin të gatshme që t’i afroheshin kësaj page.

Bayern Munich ishte një tjetër mundësi për uellsianin, por tashmë mendohet se ka përfunduar ‘saga Ramsey’. /Telegrafi/