Juve i frikësohet largimit të dyshes Morata-Pogba

E publikuar: 21/03/2016 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me fitoren në derbi ndaj skuadrës së Torinos, duket se Juventusi e ka harruar shpejt eliminimin nga Champions League dhe tashmë bardhezinjtë janë të përqëndëruar vetëm tek gara për titullin kampion në Itali. Protagonistët e momentit te Juventusi janë dy, Alvaro Morata dhe Paul Pogba. Sulmuesi spanjoll është rikthyer tek goli, ndërsa francezi po tregon se është një lojtar klasi. Për momentin trajneri Masimiliano Allegri duhet ti kënaqet formës së mirë që po kalojnë Morata dhe Pogba edhe pse të dy yjet e kampionëve të Italisë sezonin e ardhshëm mund të mos jënë më pjesë e skuadrës. Problemet fizike që po kalon argjentinasi Dybala, e kanë ndihmuar spanjollin Morata ti tregojë Allegrit se stoli nuk është për një sulmues si ai, madje edhe trajneri i bardhezinjve e ka pranuar se Alvaro tashmë është një lojtar më i pjekur dhe është një garanci më shumë për skuadrën. Gjatë merkatos së verës, Reali Madridit do të tentojë ta rikthejë sulmuesin në “Santiago Bernabeu” dhe dickaje të tillë i tremben më shumë drejtuesit e klubit bardhezi. Ndërkohë, mesfushori Paul Pogba, një tjetër thesar i bardhezinjve mund ti thotë lamtumirë skuadrës, pasi ofertat në drejtim të tij mund të kapin shumën e 100 milionë Eurove. Shifra shumë të larta këto, por francezi me rendimentin e tij gjatë këtyre viteve po tregon se për kartonin edhe 100 milionë Euro nuk janë shumë. Morata dhe Pogba, dy elementë të rëndësishëm për Juventusin, të cilët nga sezoni i ardhshëm ndoshta mund të mos jenë më pjesë e kampionëve të Italisë, por deri atëherë misioni i tyre është fitimi i titullit kampion për të pestin vit rradhazi me skuadrën bardhezi.