Jovanoviqi gjen aleatë për një platformë të re rreth çështjes së Kosovës

E publikuar: 19/09/2017 11:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike (DS) janë të hapur për bisedime me përfaqësuesit e Partisë Liberal-Demokratike (LDP) për Kosovën, meqë këtë çështje e konsiderojnë shumë serioze, shkruan sot e përditshmja e Beogradit, “Danas”, transmeton Koha.net.

Lideri LDP-së, Çedomir Jovanoviq ka paralajmëruar se kjo parti së shpejti do të ofrojë platformë qytetare e cila krahas çështjes së Kosovës krijon hapësirë për artikulimin e alternativës. Bashkëbisedues dhe partnere rreth kësaj çështjeje ai e sheh DS-në.

“Çdo propozim do ta marrim në shqyrtim me kujdes të njëjtë meqë Kosova është çështje tepër serioze që cilido të ketë të drejtën ta injorojë cilindo propozim”, i thanë “Danasit” përfaqësues të DS në lidhje me idenë e Çedomir Jovanoviqit se demokratët mund të jenë partnerë e bashkëbisedues.

Jovanoviq në një intervistë me “Novostin” kishte thënë se “Dialogu i brendshëm për Kosovën do të jetë i mundur nëse jemi të gatshëm të bisedojmë, por momentalisht nuk ka dialog meqë kemi një pushtet i cili mbyt pakicën dhe vazhdimisht heton qëllimet e atyre që e kritikojnë, sikundër edhe opozitën dhe intelektualët të cilët nuk janë në nivel të detyrës që të flasin qartë për problemet”.