Joshua thyen heshtjen, uron Furyn për paraqitjen ndaj Wilder dhe shprehet i gatshëm të ndeshet me cilindo nga ta

E publikuar: 05/12/2018 03:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anthony Joshua thotë se është i gatshëm të ndeshet qoftë me Tyson Furyn apo Deontay Wilderin, pas duelit ndërmjet tyre në Los Angeles që përfundoi baras.

Boksieri amerikan e nokautoi dy herë kundërshtarin e tij, ndërkohë që boksieri britanik kishte fituar më shumë pikë gjatë raundeve.

Meçi mes Tyson Fury dhe Deontay Wilder përfundoi baras (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Duke qenë se meçi u mbyll baras me vendim të gjyqtarëve, titulli WBC mbeti te Wilder, ndërkohë që shumëkush e ka uruar Furyn për paraqitjen e mirë.

Pas duelit Deontay deklaroi se do ta dëshironte rimeçin me Tysonin, por edhe duelin e shumëpritur me Joshuan. Ndërkohë, menaxheri i tij, Shelly Finkel, ka thënë se klienti i tij e dëshiron me ngulm përballjen me AJ.

Kampioni i unifikuar, Anthony Joshua (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Dhe duke iu referuar deklaratës së Finkel, Joshua ka thënë se amerikani e deshi meçin ndaj Furyt, sepse mendonte se është kundërshtar më i dobët.

“Pse iu desh kaq gjatë këtij budallai? Sikur ne të mos ishim të interesuar?! Sidoqoftë, ia dole për mrekulli Fury! Ata të deshën ty, sepse menduan se kishe mbaruara! Do të përballemi kurdo që të jeni gati! Cilido nga ju!”, ka shkruar Joshua në Twitter.

29-vjeçari AJ e ka të caktuar datën 13 prill 2019 për meçin e radhës, mirëpo akoma nuk është vendosur se cili do të jetë kundërshtari i tij. /Telegrafi/