Joseph Marko: Për Specialen vështirë të mblidhen prova në Kosovë

E publikuar: 06/08/2015 11:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përvoja ka treguar se në Kosovë nuk është e lehtë të mblidhen prova për ta gjykuar e dënuar dikë, kjo për shkak të mbrojtjes së pamjaftueshme të dëshmitarëve, ka thënë eksperti juridik për Ballkanin dhe profesor i Universitetit të Gracit në Austri, Prof.dr. Joseph Marko.

Ai ka paralajmëruar se kur janë të dyshuar politikanë të shquar, do të jetë e vështirë të gjenden prova për ta dhe dëshmitarë të gatshëm t’i akuzojnë.

Në një intervistë për Deutche Welle, ai ka folur për sfidat e ardhshme që e presin Kosovën, tash pas drita e gjelbër iu dha themelimit të Gjykatës Speciale që do t’i gjykojë krimet e supozuara të luftës në Kosovë, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.

I pyetur se nëse kjo gjykatë do të ketë sukses në mbrojtjen e dëshmitarëve, pasi EULEX kishte dështuar ta bënte këtë punë, profesori Marko, mendon se Kosova është e vogël për nga popullsia, dhe është e vështirë të krijohet një sistem efikas i mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Unë dyshoj se një gjykatë ndërkombëtare mund të zgjidhë një çështje që nuk arriti ta bëjë as EULEX-i”.
Marko beson se Gjykata Speciale do të përcaktohet në bazë të shembullit të Tribunalit të Hagës, dhe beson se do të jetë një organizatë e ngjashme për sa i përket prokurorisë dhe gjykatës.

“Gjykata e Veçantë që do të krijohet do t’i plotësojë të gjitha kushtet ligjore dhe organizative për funksionim. Gjykata të tilla natyrisht përqendrohen në raste të veçanta, dhe do të kenë dyshime të arsyeshme për individë të caktuar”.

Profesori jurist, shpreson se trajtimi gjyqësor i rasteve individuale do të kontribuojë që të hidhet dritë mbi të kaluarën, dhe e vë theksin në mënyrën se si do ta interpretojnë mediat këtë çështje, sidomos ato në Kosovë.