Josa: Duhej të ishim të qetë dhe ta kishim lojën në kontroll

E publikuar: 20/05/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mirel Josa nuk gjen alibi për të justifikuar pamundësinë për të mundur Dritën në ndeshjen finale të kampionatit.

Trajneri nga Tirana e ka pranuar se skuadra nga Gjilani e administroi më mirë ndeshjen duke shfrytëzuar nervozizmin e lojtarëve të Prishtinës.

“E pata thënë edhe para ndeshjes, duhet të ishim të qetë dhe ta kishim lojën në kontroll”.

“E dimë cilësinë e Dritës, qoftë të qendërsulmuesit qoftë në krah, nuk duhet të shkonim me mendimin se duhet ta mbyllnim që në pjesën e parë”.

“Lojtarët e mi u shqetësuan shumë dhe nuk e ruajtën gjakftohtësisë. Na u prishën ekuilibrat me ndëshkimin e Currit”.

“Bëmë ndërrimet e duhura dhe lojtarët që mbetën në fushë e bënë punën mirë, por morali ra nga minuta në minutë, pastaj erdhi ndëshkimi i Dallkut”, citon SuperSport fjalët e Josës.

Përveç humbjes së titullit, Josa e ka përmendur edhe mungesën e tre lojtarëve kryesorë të skuadrës në finalen e Kupës.

“Do të shkojmë në finalen e Digitaltb Kupës pa tre lojtarët. Drita e meritoi, e administroi më mirë lojën. Gabimin e kemi bërë që me Vëllaznimin e Gjakovës”.

“Nuk duhet të merrem me arbitrat, por mendoj se kryesori duhej të jepte një karton të verdhë për Shabanin dhe mund të ekulibroheshin forcat në fushë më vonë”, ka thënë ai.