Johannes Hahn godet keq Serbinë

E publikuar: 17/12/2017 11:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Kështu deklaroi dje komisioneri për Zgjerimin e unionit, Johannes Hahn, në një fjalim në Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane (ELIAMEP).

Sipas tij, BE-ja s’pranon vende që kanë probleme me fqinjët.

“2018-a do të jetë një vit i rëndësishëm dhe një mundësi për të zhvilluar më tej procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Hahn, transmeton Koha.net.

”Bashkimi Evropian ka nevojë për një rifillim të procesit të zgjerimit duke bindur vendet kandidate dhe ato anëtare se integrimi evropian është në interes të të dyja palëve”, theksoi ai.

Hahn përsëriti se BE nuk do të pranojë në gjirin e saj vende që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët.

“Ne nuk e duam një gjë të tillë. Ky është një leksion nga e kaluara”, deklaroi Hahn.
Ai shtoi se në muajin shkurt KE do të njoftojë për strategjinë për Ballkanin Perëndimor, por nuk dha hollësi. (r.m.)