Jo kala dibrançe elektorale

06.09.2016 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Image result for Ndriçim Kulla

Nga Ndriçim Kulla

Dibra, sikur ta dinte që do të ishte krahina e Shqipërisë së Veriut që do të bënte më shumë krushqi me krahinat e tjera të vendit, ka bërë edhe këngën më të bukur për dhëndurët që marrin nuse dibrane. E kam fjalën për atë këngën e famshme dibrane të dasmave:

“Pjergull o mori pjergull o/Me rrush qenke moj derdhun o/Me rrush qenke derdhun o/Kush t’i ka o mbeledhun o/Kush t’i ka o mbeledhun o/Djali jon o i zgjedhun o.”

Dibranët e kanë zakon që nëpër dasma të thonë emrin e dhëndrit në vend të fjalës “djali”. Si dhëndër Dibre unë kam vënë re se dibranët kanë një zakon shumë fisnik që, për t’i respektuar dhëndurët u kërkojnë mend, edhe për çështje për të cilat në krahina të tjera bëjnë sipas mendjes së tyre. Për këtë arsye unë delvinjoti me banim në Tiranë po e vë veten në rolin e dhëndrit që kërkon “t’i japë mend” shtëpisë së nuses, Dibrës. Dibranët kanë boll mend vetë dhe do të bëjnë si dinë vetë, natyrisht, por po provoj t’u them diçka edhe unë. Jo vetëm sepse kështu them t’ia shlyej borxhin “pjergullës”-Dibër për “rrushin” që kam mbledhur atje.

Por edhe sepse nga anët e mia thonë: “Nga je, nga fshati i gruas!”

Që para se unë të bëhesha dhëndër Dibre, Dibrën e kisha njohur që në fëmijëri nëpërmjet asaj lojës shumë të njohur në gjithë Shqipërinë që në Jug njihet si “Kala dibrançe”, dhe të cilën besoj se nuk ka nevojë ta shpjegoj se çfarë është. Më duket se zgjedhjet e 11 shtatorit kanë rëndësi të madhe për Dibrën se nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të vendoset nëse me Dibrën do të luhet një lojë kala dibrançe e llojit të veçantë, ku dibranët e shtrojnë kurrizin dhe Edi Rama me të vetët, t’i rrinë sipër. Kështu kërkon ta përdorë Dibrën Edi Rama, duke ia kërkuar votën pasi i dha Shukri Xhelilin për ta qeverisur.

Këto zgjedhje në Dibër që dolën befasisht si test elektoral, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, janë historike për Dibrën, për një arsye. Kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha është dibran nga origjina. Kështu që Dibra ka shansin që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, të ketë një kryeministër me origjinë dibrane. Nuk dihet se kur do t’i vijë më shansi Dibrës pas Bashës, që të ketë një kryeministër dibran. Basha do të bëhet kryeministër, si të votojë si të mos votojë Dibra për PD-në në këto zgjedhje, por Dibrës do t’i mbahet mend refuzimi për djalin e saj që i kërkoi votën. Dhe këtu fjalën e kam për Lulzim Bashën, jo vetëm për Sherefedin Shehun.

Sigurisht që Lulzim Basha, duke qenë kryetar i opozitës, pra duke iu përkitur si lider të gjithë shqiptarëve, nuk mund të shkojë në Dibër e të thotë jepjani votën PD-së se kryetari i saj është dibran për nga origjina. Por dibranët si njerëz të mençur disa gjëra duhet t’i kuptojnë vetë.

Dibra ka një nevojë jetike, Rrugën e Arbrit. Ndërtimi i kësaj rruge do ta gjallërojë shumë jetën ekonomike, kulturore, sportive dhe gjithçka tjetër të Dibrës. Dibranët janë një nga komunitetet më të integruara në kryeqytetin e Shqipërisë, aq sa mund të quhen bashkëthemelues të tij. Një nga rrugët kryesore të Tiranës quhet Rruga e Dibrës, sepse lidhte kryeqytetin me Dibrën. Sot, për të shkuar nga Dibra në Tiranë dhe anasjelltas, duhet jo më pak kohë se ç’duhej dikur, kur kjo rrugë bëhej me kuaj dhe me mushka. Dibra duket kaq afër Tiranës në hartë, por për të shkuar nga Dibra në Tiranë dhe anasjelltas, duhet t’i biesh rrotull gjysmës së Shqipërisë së Veriut.

Dibranët e mençur, dhe shumica e dibranëve janë të tillë, e dinë mirë se në qoftë se ka për t’u ndërtuar ndonjëherë Rruga e Arbrit, që është rruga Tiranë-Dibër, atë ka për ta ndërtuar vetëm PD. E nëse PD ka për ta ndërtuar ndonjëherë këtë rrugë, atë ka për ta bërë vetëm kryetari i PD-së me origjinë dibrane, Lulzim Basha. Në qoftë se nuk ndërtohet kjo rrugë, Dibra do të mbetet si një zorrë qorre, jashtë rrjetit të rrugëve moderne të Shqipërisë, që është i orientuar drejt Tiranës. Më shpejt mund të vish nga Struga në Tiranë dhe anasjelltas, se nga Dibra në Tiranë dhe anasjelltas.

Dibranët shquhen si njerëz me humor, të cilëve iu pëlqen t’i vënë në lojë miqësisht të ardhurit, duke përdorur të folmen e pasur dibrane. Disa herë kam qenë dhe unë “viktimë” e kësaj loje pa të keq. Thonë se hakmarrja është një gjellë që serviret e ftohtë. Nuk do të isha i lumtur që “hakmarrja” ime për këtë lojë të dibranëve me mua të realizohej duke i vënë unë në lojë ata që e sabotuan Rrugën e Arbrit me votën e tyre. Unë besoj te dibranët.

Ata jo vetëm nuk shtrojnë shpinën që të ardhurit nga Tirana, të cilët ia kanë me hile Dibrës të luajnë kala dibrançe me ta, por dinë t’i bëjnë këta që të kërcejnë në boshllëk, duke menduar se dibranët e kanë shtruar shpinën për ta, e kështu të ardhurit që kërkojnë votën me gënjeshtra të bëhen gazi i botës duke u rrokullisur në trollin e Dibrës për t’u kthyer andej nga kanë ardhur.

Duke iu rikthyer përsëri asaj këngës dibrane, për të bërë një krahasim me të, desha t’u them dibranëve se këto zgjedhje për bashkinë e Dibrës janë si një dasmë dibrane, ku atyre iu ka ardhur më i çmuari i dhëndurëve që kanë shkelur në Dibër, kryetari i opozitës djalë Dibre, i cili kërkon për “nuse” demokracinë në Dibër, për ta çuar në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme. A mund të imagjinohet vallë që Dibra ta refuzojë djalin e saj në këtë mision të madh?

*Publicist

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!


Trebeshinën historia duhet ta regjistrojë si disident, jo si shkrimtar

Trebeshinën historia duhet ta regjistrojë si disident, jo si shkrimtar

Humori i zi për politikën e zezë

Humori i zi për politikën e zezë

Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

Dy fjalë për studentin i Stanfordit dhe lidershipin e Lutfi Hazirit

Dy fjalë për studentin i Stanfordit dhe lidershipin e Lutfi Hazirit

Urgjenca morale për shëndetin mendor

Urgjenca morale për shëndetin mendor

Demokracia përtej shtetit sovran

Demokracia përtej shtetit sovran

Gjermania e re e Angela Merkelit

Gjermania e re e Angela Merkelit

Gjykata Speciale: Ndërmjet mosbesimit e viktimizimit

Gjykata Speciale: Ndërmjet mosbesimit e viktimizimit

Shtatë “gabimet” e kryeprokurorit Lumezi

Shtatë “gabimet” e kryeprokurorit Lumezi

Si t'i luftojmë demagogët populistë

Si t'i luftojmë demagogët populistë

Edhe një rrëfim (fiktiv) për Zoran Vukotiqin

Edhe një rrëfim (fiktiv) për Zoran Vukotiqin

Fashizmi i Vetonit dhe "raca drenicake"

Fashizmi i Vetonit dhe "raca drenicake"

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas meje

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas meje

Vdekja e partisë

Vdekja e partisë

Enveri, Edi dhe Top Channel!

Enveri, Edi dhe Top Channel!

Reflektime nga renia e Murit të Berlinit

Reflektime nga renia e Murit të Berlinit