Jevtiq: Vuçiqi nuk do të lejojë dëbimin e serbëve nga Kosova

E publikuar: 11/03/2019 10:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Listës Serbe Dalibor Jevtiq thotë se situata në Kosovë edhe më tej është e pasigurt dhe se Prishtina nuk po bën asgjë që të qetësohen tensionet e të vazhdohet dialogu.

Sipas tij, me miratimin e Platformës për dialog, Prishtina edhe më shumë e ka komplikuar situatën dhe e ka thelluar pasigurinë në jug dhe në veri të Ibrit, transmeton Koha.net.

“Të gjithë ne që jetojmë në Kosovë e përcjellim me vëmendje çdo fjalë të presidentit Aleksandar Vuçiq. Është shumë e rëndësishme ajo që e ka thënë se nuk do të lejojë asnjë ndjekje të re të serbëve në Kosovë. Ky është mesazh që na e shton shpresën e besimin se nga kjo situatë e rëndë do të dalim në mënyrë paqësore e pozitive”, citon “kurir” të ketë thënë Jevtiq. .

Ka theksuar se të gjitha apelet që bashkësia ndërkombëtare ia ka dërguar Prishtinës kanë dështuar dhe se mesazhi i saj është i qartë: Nuk dëshiron ta vazhdojë dialogun.

Platforma e miratuar, sipas Jevtiqit, i ka dhënë goditje të fortë jo vetëm dialogut, por edhe marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Kosovë.

Jevtiqi është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës në dorëheqje qe katër muaj.