Jep dorëheqjen kryeministri armen Serzh Sargsyan

E publikuar: 23/04/2018 17:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri armen Serzh Sargsyan dha sot papritur dorëheqjen pas disa ditë protestash kundër tij nga mbështetës të opozitës, që pretendojnë se ai kishte “kapur pushtetin” pasi kishte kryer maksimumin e nevojshëm prej 10 vitesh në detyrën e presidentit.

“Protestat janë kundër qëndrimit tim në detyrë ndaj dhe po plotësoj kërkesën tuaj”, tha ai në një deklaratë.

Mijëra njerëz në rrugët e kryeqytetit armen Yerevan e përshëndetën dorëheqjen e tij pas 11 ditë demonstratash. Në festime bashkë me protestuesit antiqeveritarë u bashkuan dhe qindra ushtarakë.

Dorëheqja e 63-vjeçarit Serzh Sargsyan erdhi menjëherë pas lirimit të kreut të opozitës Nikol Pashinyan, i cili u arrestua të dielën në një nga demonstratat që nisi pasi partia qeverisëse e Armenisë zgjodhi javën e kaluar zotin Sargsyan në postin e kryeministrit. Zgjedhja e tij erdhi pasi kishte shërbyer në detyrën e presidentit për një dekadë.

Zoti Sargsyan ishte pranë përfundimit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit si president në fillim të këtij viti, kur vendi kaloi nga një sistem presidencial në atë parlamentar, duke fuqizuar pozitën e kryeministrit, që nuk do të ketë kufizime të mandatit, duke u shndërruar në një figurë më të fuqishme se presidenti, që tashmë ka një rol më simbolik.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov tha se Rusia “po e vëzhgon me shumë vëmendje atë që po ndodh në Armeni”, dikur një vend satelit sovjetik që ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.