Japoni: Treni niset 20 sekonda më herët, kompania hekurudhore kërkon ndjesë

E publikuar: 16/11/2017 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania hekurudhore në Japoni ka kërkuar falje, pasi një nga trenat e tyre është nisur 20 sekonda para kohës së paraparë për nisje.

Menaxhmenti i “Cukuba Express”, trenat e të cilëve lëvizin në linjën hekurudhore Tokio- Cukuba, ka kërkuar sot falje për një “incident”, transmeton Telegrafi.

Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se treni është dashur të niset në ora 9:44 sipas kohës lokale, kurse është nisur në 9:43 e 40 sekonda. Sipas tyre, gabimi kishte ndodhur pasi nëpunësit nuk e kishin verifikuar mirë kohën.

“Nëpunësit nuk e kishin kontrolluar mirë kohën e nisjes së trenave, dhe njëri prej tyre është nisur më herët”, thuhet ndër tjera në komunikatë.

Rrallë herë ndodh që trenat në Japoni, vendi me linjën hekurudhore më të modernizuar në botë, të nisen në kohë tjetër sesa ajo që ishte paraparë me orar. /Telegrafi/