Januzaj, Mourinho e “skarcon”, Milani nis kontaktet

E publikuar: 30/07/2016 11:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkëlqimi dhe rënia e një ylli. Adnan Januzaj nuk gjen paqe. Pas rikthimit te Manchester United që zotëron edhe kartonin e tij, mesfushori me origjinë shqiptare është stacionuar vetëm për disa javë në radhët e “Djajve të Kuq” pasi e ardhmja e tij është larg “Old Trafford”. Jose Mourinho nuk e ka në planet e tij mesfushorin që tashmë duhet të kërkojë një destinacion të ri për të treguar vlerat e tij. Stacioni i tij i radhës mund të jetë Milano me destinacion skuadrën kuqezi të drejtuar nga Vincenzo Montella. Trajneri italian ka shprehur interesin për ta afruar në grupin e tij lojtarin me pasaportë belge, i cili u la jashtë listës së Euro 2016 nga trajneri Wilmots. Mediat italiane raportojnë se Milani a nisur kontaktet për ta huazuar me të drejtë blerjeje në fund të sezonit edhe pse drejtuesit e klubit nuk janë bindur ende plotësisht, duke parë eksperiencën e dështuar të Januzajt te Borussia Dortmund.

Ai ka një kontratë që e lidh me Manchester United deri në vitin 2018 dhe një pagë prej 2.5 milionë Euro në sezon. Te Milani, sulmuesi me origjinë shqiptare do të kompletonte repartin e sulmit ku janë projektuar edhe Niang, Lapadulla, Luiz Adriano e Suso. Gjithsesi, Januzaj mbetet ende larg fanelës kuqezi pasi bisedimet nuk janë futur ende në rrugën e duhur. Manchester United kërkon që në kontratë të përfshihet ika që e detyron Milanin ta blejë përfundimisht, por Adriano Galliani ka dyshime për formën e sulmuesit, i cili ka gjetur shumë pak hapësira gjatë sezonit të shkuar, duke humbur terren në hierarkinë e futbollit europian edhe pse pak vite më parë cilësohej si një nga lojtarët më interesantë në qarkullim.