Jankto, ylli çek që po kërkohet nga gjysma e Evropës dhe pritet të bëhet shitja më e shtrenjtë në histori të Udineses

E publikuar: 17/12/2017 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udinese njihet si një skuadër që rritë talente të mëdhenj dhe i shet për shuma shumë të mëdha.

E lojtari i ri që pritet t’i mbushë arkat e klubit të njohur italian është mesfushori anësor nga Çekia, Jakub Jankto.
Jankto ka shkëlqyer me fanellën e Udineses stinorin e kaluar dhe u bë mjaft i kërkuar, por klubi italian vendosi ta mbajë edhe për një stinor.

Jankto duke festuar një gol së bashku me mesfushorin shqiptar Valon Behrami

Udinese refuzoi oferta deri në 20 milionë euro për yllin e tyre dhe nuk ka bërë keq, pasi çmimi i lojtarit tani është dyfishuar.

21-vjeçari është duke shkëlqyer edhe këtë edicion me fanellën bardh e zi duke shënuar gola e duke dhuruar asistime.

21-vjeçari i shënoi Juventusit dhe Interit sezonin e kaluar

Në 17 ndeshjet e para, Jankto ka shënuar pesë gola ndërsa ka bërë edhe pesë asistime për bashkëlojtarët e tij.

Në garë për lojtarin janë skuadrat e mëdha italiane si Roma, Juventus, Inter, Milan dhe Napoli.

Por mesfushori i talentuar nuk ka oferta vetëm nga Serie A, pasi atë po e duan edhe në Angli, Gjermani, Francë dhe Spanjë.

Arsenali, Evertoni, Tottenhemi dhe Chelsea janë skuadrat angleze që kanë gatishmëri për ta transferuar atë në Ligën Premier.

(Foto /Getty Images)

Valencia dhe Atletico Madrid e duan futbollistin e talentuar në La Liga, ndërkohë PSG dhe Monaco në Ligue 1.

Mediat gjermane ditë më parë kanë shkruar edhe për interesimin e Bayernit dhe Dortmundit për lojtarin.

Gjithsesi me gjithë këto skuadra të interesuara, më së shumti pritet të fitojë Udinese.

Ekipi i Giampaolo Pozzos ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë asnjë ofertë nën 40 milionë euro për yllin e tyre.

Jakub Jankto duke festuar golin e parë këtë edicion të shënuar ndaj Genoas. (Foto/Getty Images)

Kësisoj largimi i reprezentuesit çek nga ‘Dacia Arena’, është i sigurt, nëse jo në janar atëherë në afatin kalimtar të verës.

Jankto gjithashtu pritet të bëhet shitja më e shtrenjtë në histori të klubit, pasi aktualisht këtë rekord e mbanë Alexis Sanchez kur iu bashkua Barcelonës gjashtë vite më parë për një shumë rreth 30 milionë euro. /Telegrafi/