Janjiq: Serbia nuk mund të bëjë shumëçka për Trepçën

E publikuar: 04/02/2019 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Forumit për marrëdhënie etnike Dushan Janjiq ka vlerësuar se Serbia nuk mund të bëjë shumë lidhur me kombinatin Trepça në Kosovë dhe se masat që mund t’i ndërmarrë janë në domenin politik e diplomatik.

Në deklaratën e vet për agjencinë serbe të lajmeve Beta, ai ka theksuar se masat që Serbia i ka ndërmarrë nga viti 2015 janë kryesisht masa politike dhe presione, pastaj apele te bashkësia ndërkombëtare, transmeton Koha.net.

Sipas tij, çështja e Trepçës ka mundur të zgjidhet shumë më herët.

“Ndërhyrja e Qeverisës së Vuçiqit ka ndodhur vonë dhe ka qenë më shumë politike, gjë që i përgjigjet edhe Serbisë e edhe Kosovës”, ka thënë Janjiq.

Ai ka thënë se në këtë çështje ka përgjegjësi edhe të Qeverisë së Vojislav Koshtunicës dhe të Zoran Gjingjiqit, të cilët çdo hyrje në çfarëdo debati për ndarjen e pasurisë në Kosovë e kanë parë si njohje të pavarësisë së saj.

Janjiq ka përfunduar se mendon se çështja e Trepçës do të zgjidhet para Komisionit për Suksesion, në të cilin pret që kontestin ta fitojë Kosova.