Janjiq: Praktikat evropiane thonë që qeverinë e krijon ai që ka shumicën, pra Avdullah Hoti

E publikuar: 26/05/2020 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti serb, Dushan Janjiq, ka thënë se në praktikat evropiane është që presidenti të dekretojë për kryeministër atë që ka shumicën në Kuvend, dhe sipas tij nëse merret për bazë ky kriter atëherë Avdullah Hoti do të krijojë qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

Sipas Janjiq, Kurti aktualisht ka një pjesë të mbështetjes nga BE’ja dhe se të gjithë evropianët që nuk pëlqejnë ndërhyrjen amerikane në procesin e dialogut me Serbinë dëshirojnë që sa më shumë të shtyhet rinisja e dialogut siç ka thënë ai për të diskredituar Richard Grenellin.

“Kurti me gjasë ka një pjesë të mbështetjes brenda BE’së. Të gjithë ata që nuk duan ndërhyrjen amerikane në procesin e Kosovës janë në favor të prolongimit të situatës sa më shumë që të jetë e mundshme, për të diskredituar të dërguarin e Trumpit, Richard Grenell. Sepse Grenell qëndron prapa rrëzimit të Kurtit. Sidoqoftë, praktika evropiane është ajo që mandati për krijimin e qeverisë i jepe atij që ka shumicën, në këtë rast, Avdullah Hotit për të formuar institucionet e reja”, ka thënë Janjiq për Kosovo Online, transmeton Gazeta Express.

Sipas Janjiq, vendimi i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese që thotë se vetëm partia e parë mund të krijojë qeverinë është komplet jashtë praktikave evropiane dhe nuk ekziston në asnjë shtet tjetër.

Megjithatë, Janjiq thotë se politikisht, opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse situata është jashtëzakonisht e paqëndrueshme, dhe se eskalimi i mëtejmë nuk është as në interes të proceseve të cilat aktualisht janë bllokuar, siç është dialogu me Serbinë.

Janjiq tutje ka rikujtuar se Kurti në mënyrë të vazhduar ka injoruar presidentin e Republikë së Kosovës, pas ftesave për të paraqitur emrin e mandatarit të ri për kryeministër.