Jakup Krasniqi: Pse s’po flet Kryeministri

E publikuar: 26/06/2015 09:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se politikanët tanë nuk po i tregojnë opinionit të vërtetën.
Sipas Krasniqit, ata po mashtrojnë si zakonisht.

“Ata mashtrimin e kanë bërë kulturë”, vlerëson Krasniqi.

“Ndërsa heshtja e tyre është e frikshme, e frikshme se kanë nënshkruar një marrëveshje të dëmshme, të cilën gjë nuk mund t’ia tregojnë opinionit publik, një pjesë e të cilit ende po ju beson. Edhe çka tjetër duhet të bëjnë këta njerëz të pa përgjegjshëm, që organet e partive te tyre, tua tregojnë derën nga duhet dalë për mos tu kthyer kurrë më”, ka shtuar më tej Krasniqi.

Ja shkrimi i plotë i tij:

A KANË INTIGRITET DEPUTETET TANË?

Nga Jakup Krasniqi

Vuçiq tha: “Sa të jam gjallë nuk do të nënshkruaj që Gazivoda t’u takojë shqiptarëve”.

“Kurrë nuk do të nënshkruaj që Liqeni i Gazivodës dhe largpërçuesit e tensionit të lartë t’i takojnë Kosovës”, ka thënë kryeministri serb Aleksandar Vuçiq.

Ai ka theksuar “derisa të jetë gjallë” kurrë nuk do të nënshkruajë, kur bëhet fjalë energjetikën, që liqeni i Gazivodës ose largpërçuesit e tensionit të lartë të jenë pasuri e Kosovës, sepse, ka shtuar, e ka zgjedhur populli i Serbisë dhe se për këtë nuk do të mashtrohet dot nga ambasadat e huaja.

Siç e pamë, Vuçiqi e Daçiqi, pas takimit te 23 qershorit po flasin diçka, kryeministrat tanë po heshtin. Pse po heshtin? Ata nuk po i tregojnë opinionit të vërteten. Pra ata po mashtrojnë si zakonisht. Ata mashtrimin e kanë bërë kulturë. Ndërsa heshtja e tyre është e frikshme, e frikshme se kanë nënshkruar një marrëveshje të dëmshme, të cilën gjë nuk mund t’ia tregojnë opinionit publik, një pjesë e të cilit ende po ju beson. Edhe çka tjetër duhet të bëjnë këta njerëz të pa përgjegjshëm, që organet e partive te tyre, tua tregojnë derën nga duhet dalë për mos tu kthyer kurrë më.

Te gjithëve na kujtohet, kur në Kuvendin e Kosovës para pesë muajve u diskutua për Trepçën, Isa Mustafa tha: ” Ne nuk do të bisedojmë me Serbinë për pasurinë (pronën) e Kosovës”. Tani po del se me 23 qershor në Bruksel është biseduar, për pasurinë e Kosovës, për ujin, për rrymën, për telefonin mobile, për largpërçuesin dhe për krijimin e një republike serbe në Territorin e Republikës së Kosovës ( Bashkësia e Komunave serbe). Te gjitha këto janë çështjet të brendshme dhe pronë e Kosovës.

Kryeministri e vartësi i tij po heshtin! A do të kishin heshtur sikur marrëveshjet e arritura do të ishin të favorshme për Kosovën.

Jo, vetëm që nuk do të heshtnin, por ata do të kërkoseshin si gjelat! E do të thoshin se kemi fituar tetë me hiq?!

Ata e kanë gjetur heshtjen, për të mos e lënduar votimin e sotshëm në Kuvendin e Kosovës për Gjykatës Speciale e cila shtetit tonë do t’ ia merr një pjesë të sovranitetit për integrimin e qytetarëve të saj. Diçka e tillë nuk ka ndodhur as me Serbinë si shkaktare e tri luftërave dhe ka ushtruar gjenocid mbi tre popuj.

Këta njerëz, për ti realizuar këto veprime anti kombëtare, fillimisht është dashur që në partitë e tyre t’i eliminonin të gjithë zërat që kanë guxuar t’i kundërshtojnë, t’i kundërshtojnë shefat e tyre, kështu ata i kanë të hapura të gjitha rrugët për të marr vendime të dëmshme për vendin. Sesa do t’ju shkoj kungulli mbi ujë këtyre njerëzve nuk e di, por kur ai do të mbushet ujë do të fundoset. Por, pastaj çështja do të jetë, a do të fundosemi të gjithë me ta?! Dëshira është që të fundosen vetëm ata, por nuk i kanë pozitat që të shkojnë vet!.Ata po rrezikojnë shumë!

Sot është dita kur në Kuvendin e Kosovës mund të përcaktohet shumë çka. Sot do të shihet integriteti i deputetëve te Kuvendit të Kosovës, guximi intelektual e njerëzor i tyre. Ndërsa, integriteti mund të tregohet vetëm në momente të vështira e të rrezikshme për fatin e një personaliteti. Natyrisht, aty ku nuk ka rrezik për fatin e jetën e njeriut, nuk ka nevojë as për integritet.

Sot do të shohim sesa deputetet tanë kanë integritet e personalitet për ti përfaqësuar qytetarët tanë!! Shpresa ka pak, se koha për integritet ka ikur! Pasi, lufta është duke u bërë kundër njerëzve me integritet e dinjitet!